Kosova

Presidenti Thaçi “Qytetar Nderi” i Shkodrës

Pas Tiranës, ditën e dytë të vizitës zyrtare në Shqipëri presidenti i Kosovës Hashim Thaçi e kaloi në qytetin e Shkodrës. Fillimisht atij ju rezervua një pritje nga qytetarja e parë Voltana Ademi.

Pasi i uroi mirëseardhjen, Ademi dhe Thaçi të shoqëruar nga delegacionet e tyre folën kokë më kokë për lidhjet e hershme që Shkodra ka me Kosovën.

Që nga falënderimi për pritjen që ju bë kosovarëve gjatë luftës, e deri tek bashkëpunimet e fundit me disa komuna në fushën kulturore dhe ekonomike ishin temat e bisedës mes Presidentit dhe Kryebashkiakes.

Më pas ata ju drejtuan sallës së Këshillit bashkiak ku Presidentit kosovar ju dorëzua titulli “Qytetar Nderi” i akorduar nga ky Këshill me motivacionin për kontributin e dhënë për pavarësinë e Kosovës, rolin negociator në procesin integrues dhe si faktor stabiliteti.

Presidenti Thaçi zgjodhi që bashkë me falënderimet dhe vlerësimin e lartë për rolin që Shkodra ka patur në ngjarjet e shënuara për kombin, të mos anashkalojë as plagën e bashkimit dhe atë të kombëtareve të futbollit, pasi Kosova luan me 6 tetor në “Loro Boriçi”.

Një vizitë ata ja rezervuan edhe një prej pasurive të mëdha të kombit, fototekës “Marubi”, ku u njoh me trashëgiminë e fotografisë shqiptare.

Vizitën në Shkodër, Presidenti i Kosovës e mbylli me vendosjen e kurorave me lule pranë bustit të shenjtores “Nënë Tereza”, patriotit “Luigj Gurakuqi” dhe “Isa Boletini”.

Komentoni