Kosova

Presidenti Thaçi dhe kryeparlamentari Veseli flasin për prioritetet shtetërore

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka pritur në takimin e parë Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselin, pas rizgjedhjes së tij.

Presidenti Thaçi shprehu urimet më të mira për rizgjedhjen e kryetarit Veseli në krye të Kuvendit edhe për një mandat.

Ai theksoi se kompletimi i institucioneve kryesore të Kosovës, pas rezultatit të zgjedhjeve të fundit parlamentare, është një e arritur demokratike.

Ishte mendim i përbashkët se Kosovën e presin punë dhe sfida të mëdha në çuarjen përpara të agjendës së zhvillimit ekonomik dhe të integrimit në institucionet euroatlantike.

Presidenti Thaçi garantoi bashkëpunim dhe koordinim të agjendave me rëndësi nacionale midis Presidencës, Kuvendit, Qeverisë dhe partive opozitare.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, theksoi vendosmërinë për të punuar në drejtim të thellimit të reformave demokratike, në avancimin e legjislacionit në përputhje me interesat e Kosovës dhe në thellimin e bashkëpunimit të subjekteve parlamentare. /KI/

Komentoni