Lajme

Presidenti Obama do të bllokojë ligjin për 11 shtatorin

Presidenti amerikan Barack Obama do t’i vërë veton sot ligjit të miratuar kohët e fundit në kongres, që u lejon të mbijetuarve dhe të afërmve të rreth 3 mijë viktimave të sulmeve terroriste të 11 shtatorit që të padisin Arabinë Saudite për dëmin e pësuar.

Presidenti Obama është shprehur se ky ligj i ri do të krijonte probleme ligjore për amerikanët që ndodhen jashtë vendit.

Kongresi mund të përpiqet ta shfuqizojë veton dhe ta miratojë ligjin, në se do të sigurojë votat e dy të tretave të ligjvënësve.

Arabia Saudite ka mohuar çdo lloj përfshirjeje në sulmet më të rënda terroriste që kanë ndodhur ndonjëherë në Shtetet e Bashkuara. Sidoqoftë, 15 nga 19 rrëmbyesit e katër avionëve që i përplasën më vonë në Nju Jork dhe Uashington, u identifikuan si shtetas sauditë.

Agjencia Franceze e Lajmeve njofton për një letër drejtuar ligjvënësve amerikanë, të nënshkruar nga një numër këshilltarësh të lartë të sigurisë kombëtare, ndër ta ish-Sekretari i Mbrojtjes, William Cohen, ish-kreu i CIA-s, Michael Morell, si dhe Stephen Hadley, ish-këshilltari për sigurinë kombëtare i Presidentit George W. Bush. Letra paralajmëron se ky ligj do të dëmtonte interesat kombëtare amerikane, aftësinë për të luftuar terrorizmin, si dhe rolin udhëheqës të ShBA-së në botë.

Të mbijetuarit dhe familjarët e viktimave të sulmeve të 11 shtatorit kanë bërë fushatë në mbështetje të këtij ligji.

Leni koment

Email-i juaj nuk do te publikohet.


*