Kosova

Prej sot qarkullohet me pajisje dimërore

Sot fillon sezoni dimëror për shoferët, të cilët obligohen të kenë pajisjet dimërore në automjetet e tyre. Policia e Kosovës ka njoftuar se të gjithë shoferët obligohen të pajisen me zinxhirë dhe goma të dimrit, në të kundërtën do të gjobiten konform Ligjit për Komunikacionin Rrugor.

Shoferët e të gjitha kategorive prej sot e deri më 15 mars obligohen të kenë me vete pajisjet dimërore.

Komandanti i Njësisë së Policisë së Trafikut për Prishtinë, Milaim Fejzullahu, ka thënë për Radio Kosovën se përgatitja duhet të bëhet me kohë, për të shmangur aksidentet e mundshme.

“Nëse haset çdo pjesëmarrës në komunikacion pa pajisje dimërore, do të merren masa ligjore, Për persona fizikë gjoba është 40 euro, kurse për persona juridikë është prej 100 deri në 300, varësisht për vendimeve që merr gjykata”, ka thënë Fejzullahu.

Ekspertët e komunikacionit gjithashtu u rekomandojnë shoferëve mbajtjen e pajisjeve dimërore.
Radio Kosova ka biseduar me disa shoferë të cilët kanë folur për rëndësinë e përgatitjes për sezonin dimëror.

Një nga taksistët që operon në regjionin Prishtinës, Enver Abdullahu, ka thënë se respekton në tërësi rregullat për pajisje sezonale.

“Të gjitha mjete që nevojitet për stinën e dimrit i kemi me vete, gomat e dimrit, që më kanë kushtuar diku 250 euro, dhe zinxhirë, nëse duhen. Ne jemi shumë të kujdesshëm, jemi të disiplinuar, se kemi të bëjmë me pasagjerë.”

Sipas Njësisë së Policisë së Trafikut, viteve të fundit në regjionin e Prishtinës ka pasur rënie të nivelit të përgjithshëm të aksidenteve.

Shkaktarë kryesorë të aksidenteve, sipas policisë, mbeten shpejtësia, moskujdesi i shoferëve, por edhe mungesa e pajisjeve sezonale.

Komentoni