Kosova

Potera: Të bëhemi bashkë me 19 nëntor që ta ndryshojmë Besianën dhe jetën tonë

Në hapje të tubimit zgjedhor qendror në Besianë nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, kandidati për kryetar, Ajet Potera, ka thënë se janë mbledhur për ta rikonfirmuar  edhe një herë, fuqishëm, përkushtimin tonë për ndryshim.

“Do ta rikonfirmojmë edhe një herë sinqeritetin tonë ndaj qytetarit, vënien në dispozicion të tij tërë potencialin që ka subjekti ynë, atë të përbashkët dhe individual. Pra, zotohemi se qeverisja komunale do jetë bashkëqeverisje me qytetarët, sepse bashkë jemi më të fortë, jemi më të mençur, jemi më të drejtë, jemi më përgjegjës për fatin tonë dhe të fëmijëve tanë, të sotmen dhe të ardhmen e tyre”, tha Ajet Potera në këtë tubim.

“Zotohemi se përkushtimi për punë dhe suksese nuk do jetë vetëm ca ditë në fund të mandatit, por gjatë gjithë kohës, çdo ditë; nuk do jetë i njëkahshëm vetëm në infrastrukturë rrugësh e trotuaresh, por do jetë i gjithanshëm, në të gjitha sferat e jetës, në të gjitha preokupimet tona si qytetarë. Zotohemi se tërë kapaciteti ynë do jetë në shërbim të njerëzve të zakonshëm, pa asnjë dallim, pa shikuar bindjet dhe përcaktimet e tyre, sepse ju jeni ata që na mbështetni, ju jeni ata që na mundësoni t`i shpalosim mundësitë dhe vlerat tona”, ka shtuar tutje ai.

Potera theksoi se koalicioni më i fortë, më i qëndrueshëm dhe më i sinqertë është ai me qytetarët, duke shprehur besimin e thellë në vlerat qytetare e kombëtare të bashkëqytetarëve të tij, me ç’rast i ftoi ata që me 19 nëntor të bashkohen në ndryshim.

“Na duhet mbështetja juaj më 19 nëntor, nevojitet bashkimi i mundësive tona e tuaja për ta ndryshuar jetën tonë, për ta ndryshuar qasjen e qytetarit ndaj pushtetit e të pushtetit ndaj qytetarit, për ta ndryshuar relacionin e komunikimit të këtyre faktorëve esencial, për ta instaluar barazinë në çdo aspekt dhe në çdo lëmi, për t`i eliminuar ndasitë sipas përkatësisë politike a ndonjë përkatësie tjetër. Që t`i realizojmë këto iu bëj thirrje të gjitha shtresave shoqërore, të gjitha kategorive profesionale, të gjitha bindjeve e koncepteve të ndryshme, që më 19 nëntor të jemi bashkë, të jemi me ndryshimin dhe për ndryshimin, të jemi në lartësinë e duhur të detyrës e të aspiratës për të ardhmen, në mënyrë që më 20 nëntor mos ta ndjejmë zhgënjimin ndaj vetes sonë, mos ta ndjejmë vështrimin  gjykues të fëmijëve tanë”, ishte thirrja e Poteres për bashkëvendësit.

Arsim në funksion të dijes dhe zhvillimit, bujqësia, sipërmarrja e turizmi që mundësojnë zhvillim e punësim dhe kujdes e shëndetësi publike për të gjithë, ishin zotimet kryesore të shpalosura për Besianën nga Potera. Me këtë rast, për fushën e arsimit ai u zotua për departizimin e institucioneve arsimore, për investim në pajisje shkollore e ndërtim të kabineteve, këndeve të leximit e  bibliotekave, digjitalizimin e bibliotekave shkollore dhe angazhim për hapjen e profileve profesionale. Në bujqësi, Potera u zotua për mbështetjen e sipërmarrësve, të fermerëve e bujqve, si dhe të projekteve për turizmin natyror e turizmin kulturor. Kurse, sa i përket shëndetësisë, ai tha se vizitat sistematike shëndetësore për nxënësit në çdo shkollë dhe ligjërimet mbi kujdesin shëndetësor do të jenë prioritare, sikurse edhe përmirësimi rrënjësor dhe riorganizimi i Qendrës së Mjekësisë Familjare dhe ambulancave.

“Më 19 Nëntor të jemi bashkë; me ju njerëz të punës e të djersës, me ju njerëz të sakrificës për lirinë tonë, me ju njerëz të penës e të dijes, me ju të rinë e të reja që jeni shpresa jonë dhe e ardhmja jonë, me ju të moshuar që jeni eksperienca, pjekuria dhe dinjiteti i këtij vendi, me ju nëna e motra që jeni krenaria e jetës. Të jemi bashkë për një fillim ndryshe; që të përfundojë koha e mentalitetit të vjetruar, mentalitetit anakronik për jetën, që të marrë fund trajtimi selektiv i qytetarëve, përçmimi i profesionistëve, përbuzja e luftëtarëve, cinizmi ndaj të rinjve, mospërfillja e të moshuarve, injorimi i punëtorëve e prodhueseve tanë, shantazhimi i bizneseve”, th po ashtu ai.

Në fund, ai u shpreh se 19 nëntori është shansi i ngadhënjimit të konceptit modern në raportet jetësore, në qeverisjen e komunës, në trajtimin e prioriteteve, në administrimin e resurseve, në zhvillimin e përgjithshëm të kësaj treve dhe në ngritjen e cilësisë së jetës të qytetarit tonë. Ai e quajti këtë datë moment të fitores së dijes së mendjes dhe dashurisë së zemrës. /Kosova.info/

Komentoni