Uncategorized @sq

Politikat lokale shëndetësore: Mjekësia Familjare – themel i sistemit shëndetësor

Fuqizimi i Kujdesit Parësor Shëndetësor përmes zhvillimit dhe zbatimit të plotë të konceptit të Mjekësisë familjare është qasja më efektive, më efiçiente, më e leverdishme dhe më e përshtatshme për shkallën e zhvillimit të sistemit tonë shëndetësor. Për më tepër, për ditë e më shumë, bazuar edhe në përvojat e shteteve të tjera në tranzicion, besojmë se kjo është rruga që duhet ndjekur. 

Kështu tha sot Ministri i Shëndetësisë Imet Rrahmani në tryezën ku u bë prezantimi i hulumtimit “Analizë e Politikave Lokale Shëndetësore në Kosovë” realizuar nga Zyra e OBSh-së në Kosovë me mbështetjen e Qendrës Kosovare për Avokim dhe Zhvillim (KADC), në të cilën pjesëmarrës ishin drejtues të KPSh-ve të komunave të Kosovës.

Ministri Rrahmani tha se fatkeqësisht, për një periudhë të gjatë koncepti i Mjekësisë Familjare është mbështetur vetëm në mënyrë deklarative përderisa në realitet, sinonim i tërë sistemit shëndetësor ka qenë vetëm QKUK-ja. “Angazhimi ynë i deritanishëm besoj se është dëshmi e mjaftueshme se ne i kemi dhënë fund praktikës së neglizhimit të KPSh-së dhe Mjekësisë Familjare e kemi kthyer fuqishëm në agjendën e angazhimeve tona konkrete”, tha Ministri Rrahmani.

Ai tha se analiza e politikave shëndetësore të KPSh-së për hartimin e të cilave be si Ministri jemi përgjegjës dhe të thirrur, vjen në momentin më të mirë të mundshëm-në momentin kur reforma jonë po i kthehet pashmangshëm themelit të vet-Kujdesit Parësor Shëndetësor.

Skënder Syla, shef i Zyrës së OBSh-së në Kosovë tha se OBSh konsideron se Mjekësia Familjare dhe KPSh janë shtylla kurrizore e sistemit shëndetësor. “Vetëm me fuqizimin e KPSh-së funksionalizohet sistemi shëndetësor”, tha Syla duke theksuar se Kosova ka një kapital të madh njerëzor brenda sistemit shëndetësor të cilin duhet të gjetur formë të fuqizohet në funksion të zbatimit të reformës shëndetësore.

Shkumbin Spahija, drejtor ekzekutiv i KADC-së, tha se në hulumtimin e prezantuar janë adresuar mangësitë e kornizës ligjore, zbatimi praktik i politikave në kujdesin primar shëndetësor, cilësia e këtyre shërbimeve si dhe janë dhënë rekomandime për eliminimin e problemeve aktuale në përmirësimin e qasjes ndaj sektorit shëndetësor. Ndërsa pas finalizimit ky raport me rekomandime do t’i dorëzohet Ministrisë së Shëndetësisë, tha drejtori i KADC-së, Shkumbin Spahija.

Ndërsa bashkë-autori i hulumtimit, Sami Uka, tha se rritja dhe fuqizimi i sektorit primar shëndetësor e mjekësisë familjare, do të jetë në interes të ekonomisë së vendit dhe xhepit të qytetarëve, është në përshtatshmëri të politikës, është e realizueshme në anën administrative, si dhe do të ndikojë në arritjen e barazisë më të madhe sociale.

Rekomandimet kryesore të cilat dolën nga kjo tryezë janë përpilimi i Udhëzimit Administrativ për zonimin dhe zgjedhjen/ndërrimin e mjekut familjar, krijimin e ekipeve të mjekësisë familjare, përcaktimin e detyrave të drejtave dhe kompetencave kryesore të anëtarëve të EMF-së, për rregullimin e referimit nga sektori privat në sektorin publik të kujdesit shëndetësor, si dhe përfshirjen e aktivitetet për përmirësim të vazhdueshëm të cilësisë gjatë procesit të ri-licencimeve të mjekëve dhe infermierëve familjarë. /KI/

Komentoni