Lajme

Policia: Një polic i lënduar e 10 qytetarë të shoqëruar në Polici

Policia e Kosovës informon dhe jep sqarim për opinionin e gjerë dhe mediat, se sot duke u bazuar në shkresën e datës 02.09.2016, dërguar nga autoritetet kompetente, respektivisht nga Gjykata Themelore në Prishtinë tek Policia e Kosovës, ku është kërkuar asistencë në ekzekutimin e lëndës me (nr.E.nr. 81/09) në Dardani-Prishtinë, janë ndërmarrë veprime konkrete operacionale për ofrimin e asistencës në ekzekutimin e kësaj lënde sipas vendimeve dhe procedurave ligjore.

Përmes një komunikate për media, Policia thotë se, “bazuar në mandatin dhe obligimin që ka Policia e Kosovës në realizimin e urdhëresave gjyqësore, qëllimi i veprimeve të tilla operacionale ka qenë për të ofruar siguri për zyrtarët e autorizuar të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe zyrtarëve të tjerë gjatë proceduarës së përmbarimit të lëndës së potencuar më lart, ruajtja e rendit, qetësisë publike dhe ndërmarrja e masave ligjore ndaj secilit që cenon rendin dhe sigurinë”.

“Në vendin e ngjarjes gjithashtu ka qenë edhe gjyqtari kompetent i lëndës prandaj të gjitha veprimet janë ndërmarrë në koordinim të plotë me autoritetet respektive”, thuhet në këtë komunikatë.

Policia thotë se gjatë ndërmarrjes së veprimeve operacionale në ofrimin e asistencës për ekzekutimin e kësaj lënde, “banorët nuk janë pajtuar për lirimin e banesave dhe nuk kanë përfillur rekomandimet dhe as urdhrat e zyrtarëve kompetentë dhe në drejtim të zyrtarëve policorë kanë hedhur gjësende, si: ujë me shishe, kova të ujit, gjësende të forta (gurë) etj., përderisa një zyrtar policor ka pësuar lëndime, dhjetë (10) persona janë sjellë në Polici për intervistim”.

“Policia e Kosovës, megjithatë ka arritur ta vë situatën nën kontroll duke krijuar kështu kushtet e nevojshme për ekzekutimin e lëndës nga organet kompetente”, përfundon njoftimi i Policisë së Kosovës. 

Leni koment

Email-i juaj nuk do te publikohet.


*