Kosova

Podujevë: Vazhdon ndërtimi i shtëpive sociale në Lagjen e Dëshmorëve

Kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu, ka pritur sot në një takim ministrin  e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, me të cilin ka nënshkruar Memorandumin për vazhdimin e financimit të Projektit për ndërtimin e shtëpive sociale në Lagjen e Dëshmorëve, në fshatin Balloc të Podujevës.

Gjatë takimit të sotëm, kryetari i Komunës së Podujevës, Agim Veliu dhe ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, janë dakorduar që të vazhdohet me projektin e ndërtimit të shtëpive për familjet e dëshmorëve dhe atyre me gjendje të rëndë sociale, të strehuara në kontejnerët e lagjes së Dëshmorëve në Balloc të Podujevës. Për këtë qëllim kryetari Veliu dhe ministri Abrashi nënshkruan marrëveshjen për vazhdimin e financimit të Projektit për ndërtimin e shtëpive sociale në Lagjen e Dëshmorëve, në fshatin Balloc të Podujevës.

Në bazë të marrëveshjes së nënshkruar, projekti i ndërtimit të shtëpive, në shumën prej 100 mijë euro, do të financohet nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, kurse Komuna e Podujevës siguron infrastrukturën ligjore për ekzekutimin e projektit, harton projektin detaj për ndërtimin e shtëpive sipas standardeve dhe legjislacionit në fuqi dhe zhvillon procedurat e prokurimit në pajtim me Ligjin për Prokurimin Publik.

Me rastin e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, kryetari Veliu tha se zgjidhja e çështjes së banimit për familjet e strehuara në kontejnerë dhe atyre me gjendje të rëndë sociale vazhdon të jetë një nga prioritetet në politikat sociale të Komunës së Podujevës.

“Falënderoj ministrin Abrashi për gatishmërinë e treguar për vazhdimin e projektit për ndërtimin e shtëpive për familjet e pastreha. Deri tash në atë lagje kemi ndërtuar 50 shtëpi, kurse me këtë investim do të zgjidhet çështja e banimit edhe për disa familje”, tha kryetari Veliu.

Ministri Abrashi shprehu bindjen se ky investim nuk do të jetë i fundit në Lagjen e Dëshmorëve.

“Ky investim do të jetë vazhdimësi e realizimi të projektit në Lagjen e Dëshmorëve. Zotohem se do të vazhdojmë deri në finalizimin e projektit, me ndërtimin e shtëpive për të gjitha familjet me gjendje të rëndë sociale, që janë banorë në kontejnerët e asaj lagjeje”, tha ministri Abrashi.

Me investimin e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe në bashkëpunim me Komunën e Podujevës deri tash në Lagjen e Dëshmorëve janë ndërtuar 50 shtëpi për familjet e dëshmorëve dhe atyre me gjendje të rëndë sociale e që ishin të strehuara në kontejnerët e lagjes. /KI/

Komentoni