Lajme

Podujevë: U miratua raporti financiar për periudhën janar-qershor 2016

Kuvendi i Komunës së Podujevës, ka mbajtur mbledhjen e rregullt, të cilën e kryesoi Mehmet Gashi- kryesues i Kuvendit, e ku ishte i pranishëm nënkryetari i Komunës, z.Nexhmi Rudari dhe drejtorët e drejtorive komunale.

Në këtë mbledhje është shqyrtuar Raporti financiar për periudhën janar – qershor 2016; Raporti i Auditorit të Përgjithshëm për pasqyrat vjetore financiare të Komunës së Podujevës për vitin e përfunduar më 31 dhjetor 2015; Informata për përfundimin e vitit mësimor 2015 / 2016 dhe propozim vendimi për mbështetje financiare për Teatrin e Qytetit “Avdush Hasani”.

Raportin financiar për periudhën janar – qershor 2016 para kuvendarëve e ka prezantuar drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Isuf Latifi.

“Shpenzimet e buxhetit për këtë periudhe kanë arritur shumën prej 6,996,280 euro. Për paga 5,772, 383.00 euro, mallra dhe shërbime 479,872 euro, shpenzimet komunale 173,306 euro, subvencione 135,783 euro dhe investime kapitale 434,935 euro shprehur në përqindje 38% e buxhetit të planifikuar”, tha drejtori Isufi.

“Këto shpenzime janë në kuadër të planifikimit për këtë periudhë. Nëse bëjmë një krahasim të shpenzimeve të kësaj periudhe me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, kemi një zvogëlim të shpenzimeve për 1.83%, gjë që është reflektuar te investimet kapitale”, tha drejtori Isufi, duke potencuar se inkasimi i të hyrave vetanake komunale për periudhën janar–qershor 2016 janë 660,561 euro, ose 39% e planit vjetor, krahasuar me periudhën e njëjtë te vitit 2015 është për 16.74% me e lartë.

Përkrahje raportit financiar i kanë dhënë këshilltarët e LDK-së, Fidan Rekaliu dhe Hasan Softolli duke e vlerësuar si një raport i cili jep një pasqyrë të qartë të hyrave dhe të dalave për periudhën raportuese.

Ndërsa këshilltarët e PDK-së, Rafet Llapashtica dhe Flakron Gashi i kanë bërë vërejtje raportit që kanë të bëjnë me shpenzimet buxhetore, veçmas nga të hyrat vetanake. Edhe këshilltari i Lëvizjes Vetëvendosje, Bahri Selimi ka adresuar vërejtje në raportin financiar gjashtëmujor.

Pas diskutimeve dhe sqarimeve të bëra nga drejtori i Buxhetit dhe Financave, lidhur me vërejtjet e bëra, Kuvendi me shumicë votash ka miratuar Raportin financiar të për periudhën janar – qershor 2016.

Drejtori i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa, Isuf Latifi, para këshilltarëve komunalë prezantoi edhe të gjetura nga Raporti i Auditorit të Përgjithshëm për pasqyrat vjetore financiare të Komunës së Podujevës për vitin e përfunduar më 31 dhjetor 2015.

“Sipas opinionit tonë pasqyrat vjetore financiare të Auditorit të Përgjithshëm prezantojnë pamje të drejtë në të gjitha aspektet materiale të pranimeve dhe pagesave si dhe të buxhetit të realizuar të Komunës së Podujevës për vitin e përfunduar më 31.12.2015, në përputhje me standardet ndërkombëtare të kontabilitetit për shërbimin publik (të kontabilitetit në para të gatshme Ligji për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësit dhe rregulloren financiare të ministrisë së financave për pasqyrat vjetore financiare”, tha drejtori Latifi.

 Më tej drejtori Latifi tha se opinioni i Auditorit të Përgjithshëm për komunën tonë është opinion i pakualifikuar.

“Në përgjithësi është një raport i mirë me të cilin jemi të kënaqur, natyrisht duke synuar që raportet e tjera të jenë edhe më të mira. Pra do të përpiqemi që të gjeturat në këtë raport të përmirësohen, ose të eliminohen në tërësi”, tha drejtori Latifi.

“Nëse, komuna merr opinionin e pakualifikuar atëherë tatimpaguesit mund të jenë të kënaqur, sepse taksat e tyre po përdoren në mënyrë korrekte”, tha drejtori Latifi.

Përfaqësuesi i Grupit të Këshilltarëve të LDK-së, Fidan Rekaliu, është shprehur i kënaqur që raporti i Auditorit të Përgjithshëm është pozitiv dhe se kjo tregon punën e mirë që po e bën ekzekutivi i Komunës.

Ndërsa, përfaqësuesit e opozitës në Kuvend, janë përqendruar në të gjeturat e Raportit të Auditorit duke kërkuar eliminimin e tyre. Rafet Llapashtica shef i Grupit të Këshilltarëve të PDK-së, Flakron Gashi këshilltar i PDK-së dhe Bahri Selimi i Lëvizjes Vetëvendosje, potencuan të gjeturat e theksuara në Raportin i Auditorit për vitin 2015

Nënkryetari i Komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari, tha se raporti i pakualifikuar i Auditorit do të thotë një raport pozitiv dhe e radhit qeverisjen në Komunën e Podujevës ndër komunat më të suksesshme.

Nënkryetari Rudari ka falënderuar Ekzekutivin për punën e mirë të bërë gjatë vitit që shkoi, gjë që edhe ka bërë që të kemi një raport të pakualifikuar të Auditorit të përgjithshëm.

Në mbledhjen e sotme Kuvendi është informuar për përfundimin e vitit mësimor 2015 /2016 dhe ka miratuar vendimin për mbështetje financiare për Teatrin e Qytetit “Avdush Hasani”. /KI/

Leave a comment

Your email address will not be published.


*