Lajme

Plazhi i rrezikshëm që po merr jetë njerëzish ideal vetëm për surfistët

Plazhi i Zvërnecit është nga pikat më të bukura por edhe më të panjohura të bregdetit të jugut. Portonovo, pjesa me më shumë erë dhe rryma, do kishte qenë në kushte të tjera një vend perfekt për surfistët nga e gjithë bota.

Por në të gjithë zonën nuk ka asnjë tabelë të vetme që të tregojë se sa e rrezikshme është të bësh plazh atje, ku vetëm të shtunën e kaluar dy vajza dhe një pushues nga Maqedonia humbën jetën teksa laheshin në det.

Por dy ditë pas tragjedisë, në plazhin e Portonovës ka sërish plotë njerëz. Ata thonë se zgjedhin të arratisen nga zhurma e plazheve masive në këtë gji të egër.

Gjithsesi, vdekja e tre vetëve ka bërë efektin e saj. Ata e kanë kuptuar se këtu nuk mund të largohesh më shumë se pak metra nga bregu.

“Kemi ardhur, por nuk futemi në ujë. Kalojmë këtu anës bregut. Kushtet janë shumë të dobëta, nuk ka as tabelë, as roje plazhi çdo 250 metra, asgjë”, thotë një pushues.

“Tendenca është për të gjetur vende të izoluara, por ato kanë risk sepse mund të kenë një problematikë që ne nuk e dimë, si rryma nënujore ose kafshë”, thotë Ejana Xhixha, nga Ministria e Turizmit.

Ministria e Turizmit thotë se përgjegjësinë ligjore për zbatimin e kritereve që përkufizojnë një plazh e ka pushteti vendor dhe saktëson se kjo vlen vetëm për një listë të caktuar plazhesh.

Për të tjerat, ku futet edhe plazhi i Portonoves në Zvërnec, përgjegjësia është e vetë individit.

“Përsa kohë nuk ka sinjalistikë që kjo është një zonë plazhi do të thotë që individi është në zgjedhje të lirë për ta shfrytëzuar apo jo”, thotë Xhixha.

Po kur do të përfshihen të gjitha plazhet në kriteret e përcaktuara dhe kur ato do të vihen totalisht në përgjegjësinë e pushtetit lokal? Ministria thotë se nuk e di kur ky proces do të mbarojë, por di se nga ku ai do të fillojë.

“Do të ishte mirë që të gjitha plazhet të kishin lajmërimet për rrezikshmëri, por procesi vazhdon dhe ne e kemi nisur nga ato plazhe ku është vendosur detyrimi ligjor”, shton Xhixha.

Ngjarjet e rënda si ajo në Portonovo nxjerrin në pah nevojën për një kontroll të gjithë zonës bregdetare dhe informimin e pushuesve në mënyrë që të mos bien pre e kurtheve të natyrës, e cila në raste të tilla provoi edhe një herë se është më e shpejtë sesa shteti. /TCH

Leave a comment

Your email address will not be published.


*