Lajme

Plani i Integritetit të FSK-së prezantohet para deputetëve të Kuvendit

Komisioni për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrje të FSK-së, nën kryesimin e kryetarit Daut Haradinaj, ka mbajtur sot mbledhjen e radhës në të cilën pikë e disktimit ishte: prezantimi i Planit të Integritetit të FSK-së.

Fillimisht takimin e hapi kryetari i Komisionit, i cili pasi përshëndeti të pranishmit tha se, ky plan është i rëndësishëm për FSK-në dhe Komisionin, i cili do të mbikëqyrë nga afër zbatimin e tij.

Përfaqësuesit e FSK-së, të prirë nga komandanti, Gjeneral-lejtnant, Rrahman Rama dhe Sekretari i Përgjithshëm i FSK-së, Shkelzen Syla, para komisionit kanë paraqitur planin e integritetit 2016-2018, duke shkoqitur pjesët kryesore që kanë të bëjnë me menaxhimin e burimeve njerëzore, parandalimin e konfliktit të interesit, sistemin e prokurimit dhe menaxhimi i aseteve, si dhe fuqizimi i kontrollit të brendshëm.

Pas prezantimit të përfaqësuesve të FSK-së, anëtarët e komisionit kanë shtruar pyetje dhe kanë paraqitur komente lidhur me zbatimin e këtij plani edhe në aspektet të tjera, që ndërlidhen me funksionimin më të mirë të FSK-së, siç janë: transformimi i saj në forcat e armatosura, procesi i pensionimit dhe gradimit, si dhe pronësia e lokacioneve të FSK-së.

Pyetjeve që shtruan anëtarët e komisionit u është përgjigjur komandanti i FSK-së, gjeneral Rama, si dhe sekretari i FSK-së, Shkelzen Syla. /KI/

Leni koment

Email-i juaj nuk do te publikohet.


*