Lajme

Pistoleta e Ministrit Ahmet KrasniqinNë Kukës dhe Fuat Ramiqi

Shkruan: Rexhep ShAHU

(fragment nga libri im në proces “Lufta ime për Kosovën”)

13 shtator 1998. Ora 15. Tre kilometër pa hy në qytetin e Kukësit, pranë depove të karburantit të shtetit në Mamëz, te kthesa poshtë depove, një grup policësh civilë, gjashtë gjithsej, me pistoleta e armë automatike në duar ndalojnë tre makina që vinin nga Tirana.

Në makinën e parë udhëtonte Fuat Ramiqi, oficer i lartë i Kosovës që përgjigjej për trupat e Kosovës që ishin dislokuar në Kukës e Tropojë.

Fuati ishte i pari ushtarak profesionist i Kosovës që kishte ardhur në Kukës bashkë me oficerin tjetër të Kosovës Nehat Koçina për të studiuar e gjetur vendet ku do të instaloheshin apo vendoseshin trupat e Kosovës për t’u stërvitë e për të qenë më afër për të hyrë në luftë në Kosovë. Leja ishte dhënë nga shteti dhe komanda e Divizionit të Kukësit e dinte këtë gjë. Atëherë, në pranverë 1998 e pata parë, njohur e shoqëruar në këtë mision Fuat Ramiqin dhe pata mësuar për luftën që ai kishte bërë në Bosnje kundër serbëve, luftë me armë të vërteta e jo me pushkë druri..

Në makinën e dytë ishte Ministri i Mbrojtjes i Kosovës kolonel Ahmet Krasniqi. Në makinën e tretë ishte ushtaraku tjetër i lartë i Kosovës, Ahmet Alishani që drejtonte trupat e Kosovës në Kukës e i niste për Tropojë e Kosovë.

Policët civilë të Kukësit shkojnë me nxitim te makina e mesit dhe pa aspak mirësjellje hapin derën e makinës.

Pa komunikimin e nevojshëm dhe pa etikën më elemetare, dy policë njëherësh, si në garë kush po tregon zell më të madh, flasin me zë të lartë, të akullt: dorëzoni armën ju Ahmet Krasniqi…

Ministri i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, shtet i njohur nga parlamenti i Shqipërisë, Ahmet Krasniqi shtanget. Jo nga frika prej këtyre policëve civilë, pasi ai kishte luftuar vërtetë me ushtarë e policë serbë në Kroaci, por nga një droje, nga frohtësia e të folurit, nga akullsia e zërit të këtyre policëve civilë që i kishin sjellë nga ana e anës që të policonin në Kukës dhe ta ruanin Shqipërinë prej Kosovës, t’i ruanin shqiptarët e Shqipërisë prej shqiptarëve të Kosovës.

Me qetësi ministri fut dorën në brez dhe ngadalë nxjerr pistoletën.

Ndërkohë e kishte kapë për krahu dhe po e tërhiqte një polic ta zbriste nga makina duke i thënë : Ju Ahmet Krasniqi për armëmbajtje pa leje, duhet të vini në polici…

Sapo ministri zbret në tokë dhe po ia zgjaste pistoletën e tij “Sigsauer” 9 mm policit, mbin fluturimthi aty Fuat Ramiqi dhe e rrëmben pistoletën duke thënë me ton të sertë e të vrazhdë : është arma ime, unë marr çdo përgjegjësi.

Jo, nuk është arma juaj, është e Ahmet Krasnqit, ngre tonin polici, ai duhet të vijë në polici…

Vij unë në polici, unë arrestohem, unë bëj burg, ua kthen qetë e sertë Fuati, pistoleta është e imja.

Polici zgjat duart ta marrë armën nga duart e ministrit por duart e oficerit profesionist që ishte mësuar me armë në luftë, Fuat Ramiqi, u treguan më të shpejta e të forta se duart e policit civil të policisë së Kukësit.

U krijua një heshtje e frikshme. Armë të dyja palët.

Policët bien dakord që të arrestohej Fuat Ramiqi.

Ai hyp në makinën që po e drejtonte vetë, hypin në makinën e tij dy policë që ia kishin drejtuar njëri automatikun e tjetri pistoletën dhe në orën 16 mbërrijnë në komisariatin e Kukësit.

Ministri Ahmet Krasniqi dhe Ahmet Alishani shkojnë te Bar Amerika në Kukës dhe nga aty bëjnë gjithë përpjekjet për ta liruar nga burgu Fuat Ramiqin, por atë natë pa sukses. Edhe Musli Lleshi pronari i Bar Amerikës, me gjithë njohjet e tij, bën përpjekje për ta liruar Fuatin, por mllefi i dikujt ndaj ministrit të Kosovës Ahmet Krasniqi ishte i verbër dhe dështimi për ta arrestuar e poshtëruar atë kishte acaruar dikë shumë.

Ata ishin nisë nga Tirana për Kukës e pastaj për Tropojë. Por u doli kjo pengesë.

Gjithë natën Fuatin në burg e trajtuan si kriminel. Kishin mllef të verbër ndaj tij pse ai i pengoi që ta burgosnin ministrin Ahmet Krasniqi. Dhjetra herë që e merrnin në pyetje e që i flisnin, kishin vetëm një kërkesë : veç thirre Ahmet Krasniqin të vijë këtu…

Por Fuati e kishte ndarë mendjen, do të paguante gjithçka e nuk do të lejonte ta poshtëronin ministrin e mbrojtjes të Kosovës Ahmet Krasniqin.

Gjithë natën nuk e lejonin të shkonte as në banjë. Aty ku ishte izoluar në bodrum te qelitë e burgut, nuk kishte banjë. Vonë pas mesnate, duke iu lutë policit, ai e shoqëron për në banjë në katin e dytë. Fuati i shprehu shumë mirënjohje policit që e shoqëroi në banjë, i cili u tremb shumë prej Fuatit.

Gjatë hetimit e marrjes në pyetje Fuatin e fyenin, e kërcënonin në mënyrë të pacipë. Ia nxirrnin Kuranin dhe e shanin, e fyenin atë e Kuranin.

I thonin do të dënohesh me 5 vjet burg. Ja po vjen gjykatësi këtu të ta japë dënimin me 5 vjet burg.

Ju të Kosovës jeni shkërdhata, jeni fundamentalistë.

Akuza jote nuk është thjeshtë armëmbajtje pa leje.

Thirre Ahmet Krasniqin të vijë këtu dhe ti lirohesh menjëherë.

Gjatë marrjes në pyetje ngrihen tonet. Tentojnë ta godasin me grushte por Fuati që ishte ushtarak, reagon, mbrohet dhe u thotë: unë jam shtetas i Bosnjës dhe do të reagojë Bosnja për mua, ju nuk mund të më goditni. Jam shqiptar, shtetas boshnjak.

Kur tentativa për goditje arrin kulmin dhe fyerjet e talljet po ashtu, atëherë Fuati thotë se nëse nuk më lëshoni ju, për 24 orë goditet komisariati juaj nga trupat tona…

Me 14 shtator 1998, në orën 7.30 të mëngjesit lirohet nga komisariati i Kukësit Fuat Ramiqi. Shkon te makina e tij që ia kishin kontrolluar e bërë lëmsh. Por policët e Kukësit nuk e kishin gjet dot pistoletën personale të Fuatit të cilën ai e kishte fshehur në makinën e tij. Pistoleta e ministrit Ahmet Krasniqi mbeti në komisariatin e Kukësit, një zot e di se cili shef e ka kujtim…

Mori makinën dhe shkoi te Bar Amerika. Aty e priste ministri Ahmet Krasniqi dhe Ahmet Alishani. Aty në dhomën e vogël të lokalit kanë bërë një takim me dy policë.

Ndërkohë nëpër qytet qe përhapur fjala që kishte thënë Baci, ushtari më i vjetër që ishte në Kolsh, se po nuk u lirua Fuat Ramiqi, nuk do të ketë më komisariat në Kukës, do ta bëjmë rrafsh… Atëhere Divizioni i Kukësit nuk i kishte as 90 trupa gjithsej. Trupat e Kosovës që stërviteshin në ato kohë në Kukës ishin disa herë më të shumta e profesioniste se ushtria e policia që kishte Shqipëria në Kukës.

Në orën 12 të datës 14 shtator 1998, ministri i Mbrojtjes së Kosovës Ahmet Krasniqi bashkë me Ahmet Alishanin shkojnë në takim në zyrën e komandantit të divizionit të Kukësit gjeneral Kudusi Lame.

Takim mjaft miqësor, pasi gjenerali kishte në ato kohë shumë nderim për trupat profesioniste të Kosovës. Lufta drejtohet e komandohet nga profesionistët dhe vetëm atëherë mund të jetë e suksesshme, deklaronte gjenerali.

Në këtë takim, gjeneral Lame premton, pas kërkesës që bëri ministri Krasniqi,  se do të shohim për baza të reja stërvitore për trupat e Kosovës, që të shtohen ato.

Pasi e pyesin, ai thotë se takohem me Xhavit Halitin, por s’kam gjë më të.

Në këtë takim mjaft miqësor dy Ahmetat i tregojnë gjeneralit Lame për incidentin që kishte ndodhë një ditë më parë dhe që Fuat Ramiqi kishte kaluar natën në burg.

Gjenerali revoltohet dhe shprehet i lënduar që nuk i kishin kërkuar ndihmë.

Ministri Krasniqi i lë gjeneralit një stekë më cigare, por ngaqë gjenerali pinte duhan me të dridhme, shumicën nga ato cigare që ai i quante duhan i butë, i kam pirë unë, pasi mi jepte herë pas here gjenerali. Dhe unë sa herë ndezja nga ato cigare, thoja me zë, t’u rrittë ndera Ahmet Krasniqi!

Gjenerali ishte mjaft i gëzuar nga kjo vizitë e ky takim me ministrin Ahmet Krasniqin e ushtarakun Ahmet Alishani.

Veç është pezmatuar dhe është nxirë kur ka dalë të flasë në televizion Sali Berisha.

Në Tiranë po zhvilloheshin ngjarjet e 14 shtatorit 1998.

Leni koment

Email-i juaj nuk do te publikohet.


*