Kosova

Pishinat e freskisë së kushtueshme

Gazmend Feka ka ëndërruar prej fëmijërisë të notonte në ujin e pastër të Liqenit të Ujmanit. Në ujërat e tij ishin larë të gjithë familjarët e Fekës deri në fund të viteve nëntëdhjetë.

Shpërthimi i luftës e shkëputi lidhjen e Fekajve me liqenin në veriun e Kosovës. Mirëpo, përherë familjarët i kanë kujtuar daljet në Ujman, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Unë jam i lindur në Mitrovicë dhe Ujmani është vetëm 20 kilometra nga shtëpia e prindërve, aty ku jam rritur. Në familje kemi një traditë të gjatë të vizitave të shpeshta këtij liqeni para luftës në Kosovë”, kthehet njëzetë vjet në kohë Feka, në fillim të tridhjetave. “Dhe për rastësi, vetëm unë nuk e kisha vizituar liqenin, edhe pse uji i tij kalon përmes Ibrit vetëm dhjetë metra afër shtëpisë së prindërve”.

Feka, pronar i kompanisë “TRIS”, që ka të drejtën e përfaqësimit të brendit të kafes, “La Brasilera”, e ka realizuar tek tetëmbëdhjetë vjet pas luftës ëndrrën fëmijërore. Thotë se mungesa e sigurisë ishte arsyeja kryesore e pritjes së gjatë. Dhe iu deshën disa ditë për t’ua mbushur mendjen familjarëve që të merrnin udhë drejt Ujmanit më 28 korrik.

Komentoni