Kosova

Perspektiva e Ballkanit në BE: Serbia afër, Kosova e Bosnja shumë larg

Viti 2025 është shans real për vendet e Ballkanit Perëndimor për të hyrë në Bashkimin Evropian, por kjo varet nga përpjekjet e tyre për të përmbushur kriteret, sipas ministres së jashtme të Bullgarisë, Ekaterina Zaharieva, vendi i së cilës tani ka presidencën e radhës të Këshillit të BE-së.

“Nëse të gjithë udhëheqësit e shoqërisë dhe politikës fokusohen në zbatimin e reformave kyçe, kjo nuk është joreale. Kjo varet nga secili vend në rajon, se sa shpejt kryejnë detyrat. Natyrisht, nëse nuk janë të gatshëm atëherë nuk do të ketë marrëveshje për anëtarësim. Rregullat janë të qarta për të gjithë”, ka thënë Zaharieva për EUobserver, transmeton Koha.net.

Synimi për vitin 2025 pritet të formalizohet në muajin e ardhshëm nga Komisioni Evropian.

“Partnerët e Ballkanit Perëndimor tani kanë një mundësi historike. Për herë të parë, perspektiva e tyre e pranimit ka një afat kohor të mirë”, thotë ajo.

Strategjia e BE-së për Ballkanin do të diskutohet në Samitin e Sofjes që do të mbahet në maj, me vendet e regjionit – Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë, Shqipërinë, Bosnje Hercegovinën dhe Kosovën.

Duke u dhënë këtyre vendeve një “perspektivë evropiane” – në vend se një premtim formal për anëtarësim – është një nga prioritetet e vëna nga Bullgaria për presidencën e saj të Këshillit të BE-së, i cili filloi më 1 janar.

Aktualisht Serbia është në negociatat më të avancuara me BE-në, dhe është në pritje që të hapë “dy apo tre” kapituj të rinj gjatë presidencës bullgare në BE.

I dyti është Mali i Zi, me pesë kapituj tashmë të hapur. Shqipëria dhe Maqedonia janë vende kandidate, por Maqedonia – e quajtur zyrtarisht ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë duhet së pari të zgjidhë mosmarrëveshjen me Greqinë rreth emrit të saj.

Përderisa sipas këtij artikulli Kosova dhe Bosnjë e Hercegovina janë shumë prapa, duke ia kujtuar Kosovës njërin prej fakteve kyçe atë të mosnjohjes nga pesë shtete anëtarë të Bashkimit Evropian.

Komentoni