Lajme

Mbyllet takimi, Kosova humb

Përfaqësuesja e Kosovës ka humbur ndeshjen e dytë kualifikuese për Kampionatin Botëror, nga Kroacia me rezultat 6:0.

Në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës, përfaqësuesja e Kosovës pësoi tre gola në gjysmë lojën e parë dhe tre golat e tjerë në pjesën e dytë të lojës.

Qendërsulmuesi Manxhukiq shënoi tre gola për ekipin kroat.

Stadiumi “Loro Boriçi” në Shkodër ishte mbushur me afro 16 mijë shikues, kryesisht qytetarë të Kosovës, që udhëtuan për të ndihmuar përfaqësuesen e tyre.

Kosova luajti ndeshjen e parë të saj ndërkombëtare si mikpritëse, por në mungesë të infrastrukturës sportive ndeshjen e zhvilloi në stadiumin e Shkodrës, në Shqipëri.

Ndeshjen e parë Kosova e luajti baras me Finlandën, si mysafire.

Kosova luan në Grupin I, kualifikues për Kampionatin Botëror, që mbahet në Rusi më 2018. Në Grup me Kosovën janë edhe Kroacia, Turqia, Finlanda, Islanda dhe Ukraina.

 

Deklaruan pas ndeshjes:

Albert Bunjaki: Ishte një ndeshje e fortë. Kroacia është një skuadër e mirë e fortë dhe te penalizon edhe nga pozita të ndryshme. Na mbetet të analizojmë e të shohim ku duhet të përmirësojmë gjërat. Ne kemi një ekip të ri që shumë premton dhe duhet të kemi durim. Unë kam thënë disa  herë se ky ekip mund të kualifikohet për Evropianin 2020 dhe për këtë jam i bindur.

Ante Çaçiq: Ne erdhëm këtu për të kryer detyrat dhe morëm tri pikë. Nuk kemi besuar se do të fitojmë kaq lehtë, por përmbushëm obligimet mirë. Kosova ka një ekip të mirë të ri dhe në formim e që unë besoj se ka një të ardhme të mirë.

Leni koment

Email-i juaj nuk do te publikohet.


*