Sport

Përfundon me humbje aventura evropiane e Skënderbeut

Skuadra e vetme shqiptare në Evropë, Skënderbeu e ka përfunduar këtë aventurë me humbje nga Young Boys Berni 2-1.

Ndeshja nisi qetë me dy skuadrat që luanin kujdesshëm në mesin e fushës.

Goditja e parë në portë erdhi nga Skënderbeu, kur mbrojtësi Gledi Mici tentoi nga distanca por jashtë portës.

Mesfushori austriak Thorsten Schick tentoi për vendasit nga distanca por portieri veteran Orges Shehi priti me vështirësi.

Me rezultatin e bardhë 0-0 përfunduan 45 minutat e para të kësaj sfide.

Pjesa e dytë nisi me një rast të mirë për vendasit kur Moumi Ngamaleu u tregua i rrezikshëm por në fund dështoi të shënoj.

Sulmuesi afrikan i Skënderbeut, Demte u fut në zonë goditi por topin e rikthyer nga portieri e dërgoi në rrjetë Enis Gavazaj për 1-0.

Gëzimi i skuadrës shqiptare nuk zgjati më shumë se tre minuta pasi vendasit barazuan në 1-1.

Ishte sulmuesi francez Guillaume Hoarau që shënoi me kokë për 1-1 pas asistimit nga Aebischer.

Krejt në fund të ndeshjes, sulmuesi vendas Assale shënoi për fitoren e Young Boysit 2-1.

Pas gjashtë ndeshjeve në grupe, Skënderbeu përfundoi në pozitën e katërt me pesë pikë, një më pak se  Young Boysi, ndërsa nga grupi kualifikohen Partizani i Beogradit dhe si lideri Dinamo Kiev.

Komentoni