Lajme

Përfundoi me sukses Simpoziumi i 7-të Ndërkombëtar i Shkencave Shëndetësore

Përfundoi Simpoziumi i 7-të Ndërkombëtar i Shkencave Shëndetësore i cili u organizua nga Instituti i Evropës Juglindore për Avancime dhe Shkenca Infermierore (IEJJ-ASHI) dhe qeap-heimerer.

Simpoziumi zgjati tre ditë ku u prezantuan rreth 60 punime shkencore nga pjesëmarrës nga vende të ndryshme si: Amerika, Gjermania, Sllovenia, Kroacia, Austria, Polonia, Maqedonia, Shqipëria dhe Kosova.

Në simpozium morën pjesë profesorë me prezantime të ndryshme nga universitete të mirënjohura ndërkombëtare, si Universiteti i Shkencave të Aplikuara Mynster, Gjermani, Universiteti i Mariborit, Slloveni, Universiteti UMITIHALLE, Austri, Universiteti Martin Luther, Gjermani dhe shumë profesorë nga universitete tjera me famë botërore.

Simpoziumi ka ngjallur mjaft interes tek audienca profesionale shëndetësore, ku gjatë tre ditëve sa u mbajt, morën pjesë më shumë se 700 persona nga vendi dhe bota. Prej tyre 150 ishin aktivë, të cilët prezantuan hulumtimet dhe posterët e tyre hulumtues dhe mbi 550 pjesëmarrës pasivë, profesionistë shëndetësorë nga fusha të ndryshme.

Simpoziumi i 7-të Ndërkombëtar i Shkencave Shëndetësore shpalli edhe fituesit e këtij edicioni, shpërblime këto të ndara në tri kategori, si: çmimet për Prezantimet me Orale, Poster Prezantimet dhe çmimi i Publikut.

Kategoria “Prezantimi Oral”

Vendin e parë për kategorinë “Prezantimi me Oral” e fitoi PhD. Kand. Dianna Ullrich nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës e cila prezantoi hulumtimin me temën “Vlerësimet e Qendrës së Klientëve në Terapinë Profesionale”. 

Vendin e dytë për në këtë kategori e fitoi Msc. Barbara Donik nga Sllovenia e cila prezantoi hulumtimin me temën “Rëndësia e monitorimit të punësimit të kujdestarëve të diplomuar”.

Vendin e tretë për Prezantim me Gojë e fitoi Bsc. Enteela Kamberi nga Kosova e cila prezantoi hulumtimin me temën “Ndikimi i tepruar i kujdesit të nënës në zhvillimin e gjuhës së fëmijës”.

Kategoria Poster prezantim

Vendin e parë në Poster prezantim e fitoi Flaka Isufi, e cila prezantoi posterin hulumtues me temën “Motrat dhe vëllezërit / Janë më shumë sesa vetëm të bezdisshëm”.

Vendin e dytë në këtë kategori e fitoi Gerta Kaçani, e cila prezantoi posterin hulumtues me temën “Ndikimi i kornizave të protezave gjysmë fikse në shëndetin gjingjival”.

Vendin e tretë në kategorinë Poster prezantim e fitoi Blerta Krasniqi, e cila prezantoi posterin hulumtues me temën “Pse komuniteti i shurdhër qëndron kundër implantit koklear”.

Çmimi i publikut

Çmimin e publikut e fitoi Msc. Kand. Fitore Januzi nga Kosova e cila prezantoi hulumtimin e saj me temën “Abuzimi seksual në fëmijëri – Pasojat në moshën e adoleshencës”.

Në fund, Z. Petrit Beqiri, Drejtor i Institutit të Evropës Juglindore për Avancime dhe Shkenca Infermierore (IEJJ-ASHI) dhe znj. Naime Brajshori, Zëvendësdrejtoreshë e qeap-heimerer, ndanë mirënjohje dhe shprehën falënderime edhe për ata të cilët e bënë të mundur të gjithë këtë organizim, sponsorët e kësaj ngjarje, si Projekti Insteap-Tempus, Ministria e Shëndetësisë, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, Solidar Suisse, sponsorin medial Klan Kosova si dhe falënderuan profesorët, studentët dhe stafin organizativ.

Ndërkaq, Presidenti i Simpoziumit, z. Florim Gallopeni shprehu falënderime për të gjithë pjesëmarrësit dhe ftoi për pjesëmarrje në Simpoziumin e 8-të Ndërkombëtar të Shkencave Shëndetësore që do të mbahet në shtator, 2017. /KI/

Leni koment

Email-i juaj nuk do te publikohet.


*