Lajmet

Përfituesit më të mëdhenj nga rritja e pagave

Ministrat, zëvendësministrat, por edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës do të përfitojnë më së shumti nga vendimi i Qeverisë për rritje të pagave prej 4 për qind nga një janari i vitit që vjen.
Por, nga ky vendim do të përfitojnë shumë pak shërbyesit civilë, ku paga e tyre sillet prej rreth 400 euro. Nga një janari i vitit që vjen pagat e shërbyesve do të rriten nga 15 deri në 20 euro, derisa pagat e ministrave, zëvendësministrave, por edhe të deputetëve të Kuvendit do të rritën prej më shumë se 70 euro në muaj, shkruan sot, gazeta Zeri.
Ish-ministri i Financave, Agim Krasniqi, përmes një statusi në rrjetin social “Facebook” ka shkruar se padrejtësitë dhe gabimet po rriten me rritjen e pabarabartë të pagave.
“U sqarua në shifra se sa do të rriten pagat në sektorin publik. U tha se do të rriten 4% për të gjitha kategoritë. Kjo do t’i rritë te pjesa me e madhe e shërbyesve publikë pakënaqësitë jo për rritje të pagave, por për thellim të dallimeve mes pagës minimale dhe asaj maksimale e për më keq edhe në mes të pagës mesatare dhe asaj maksimale”, ka shkruar ai.

Komentoni