Lajme

Për tre vjet 443 raste me Hepatit

“Njihu me hepatitin –Vepro tani” është tema për të cilën u diskutua sot në QKUK, me rastin e Ditës së Hepatitit.

Hamdi Ramadani drejtor i repartit të Infektives tha se prej zbulimit të hepatitit e deri më sot, mjekët vazhdojnë të ballafaqohen me këtë problem serioz, transmeton arbresh.info.

“Në vitin 1981 për herë të parë është zbuluar hepatiti, që nga ajo kohë edhe sot mjekët ballafaqohen me një problem mjaft serioz. Klinika Infektive ka 17 mjekë specialistë, ka 11 reparte me shefa, ka në total 72 punëtorë që në tërësi ballafaqohen me këtë sëmundje. Që nga viti 2009 ka fillu që të trajtohet hepatiti B në klinikën tonë”, ka thënë Ramadani.

Ai ka shtuar se vetëm në vitin 2015 janë të regjistruar 150 raste ndërsa për 3 vite (2013-2015) janë regjistruar 443 raste me hepatit.

Shefi i OBSh-së për Kosovën, Skender Syla, tha se 1 milionë njerëz vdesin çdo vit nga hepatiti në të gjithë botën.

“Vizioni i eliminimit të hepatiti deri në vitin 2030 mund të arrihet vetëm nëse njerëzit do të njohin më mirë hepatitin dhe do ta luftojnë atë. Rëndësia e testimit është e pazëvendësueshme”, është shprehur Syla.

Ndërkaq, Izet Sadiku, zëvendësministër i Shëndetësisë tha se kjo ministri është e gatshme të bashkëpunoj dhe të përkrah mundjen e hepatitit.

“Ka ardhur koha që edhe Kosova të ketë strategjinë për eliminimin e hepatitit B ashti siç kemi bërë strategji për mundjen e sëmundjeve tjera”, tha Sadiku.

Leave a comment

Your email address will not be published.


*