Lajme

Për lirimin e Thaçit nga Beogradi, flet Valdet Sadiku

Shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Republikës së Kosovës në Beograd, Valdet Sadiku, në intervistën dhënë RTK-së ka folur për më të rejat e lirimit të nënkolonelit, Nehat Thaçi. Sadiku ka thënë se Qeveria e Kosovës po bënë përpjekjet maksimale për lirimin e tij. Sipas tij, edhe misionet diplomatike të akredituara në Beograd janë jashtëzakonisht të interesuara rreth rastit të nënkolonelit Thaçi.

RTK: Cilat janë më të rejat rreth arrestimit të Thaçi meqë sot është mbajtur edhe seanca gjyqësore kundër tij?

Sot është mbajtur seanca dëgjimore për rastin e nënkolonelit Thaçi në Prokurorinë për krim të organizuar në Beograd. Të premten pasdite është vendosur që me rastin e Thaçi të merret prokuroria për krim të organizuar dhe ai pra ngarkohet për veprën e terrorizmit, e jo Prokuroria për Krime Lufte. Seanca ka filluar sot në orën 11 dhe ka zgjatur 2 orë, ndërkohë Thaçi e ka mbajtur fjalën e tij në gjuhën shqipe. Ekipi mbrojtës i tij sot e ka përgatitur dhe e ka dorëzuar kërkesën për pezullimin e menjëhershëm të masës së paraburgimit. Duhet thënë se që nga mbrëmja e së premtes Thaçi është transferuar nga Nishi për në Beograd Thaçi vazhdon ta mbaj qëndrimin e tij që është jashtëzakonisht dinjitoz, dhe është i palëkundur në besimin se përkundër vonesave të mundshme, drejtësia do të fitojë dhe ai do të lirohet shumë shpejt.

RTK: Çfarë po bën aktualisht zyra ndërlidhëse e Republikës së Kosovës rreth lirimit sa më të shpejtë të Thaçi?

Puna jonë nuk mund të shihet e ndarë nga përpjekjet maksimale që po bën Qeveria e Kosovës dhe Institucionet tjera. Në anën tjetër pasi gjendemi në vendin e ngjarjes, kemi përgjegjësi shtesë sa i përket kontakteve me autoritet e Beogradit, me misionet ndërkombëtare të akredituara në Serbi por edhe kontaktet me ekipin mbrojtës e familjarët e Thaçit. Me rëndësi është të përmendën edhe kontaktet me mediat këtu. Përgjatë tërë kësaj kohe vazhdimisht përcjellim qëndrimin e Qeverisë së Kosovës për lirim të menjëhershëm të  Thaçit…

RTK: Megjithatë janë bërë 11 ditë nga arrestimi i Thaçit. Ka pasur deri më tani kërkesë nga zyrat ndërkombëtare në Beograd që zoti Thaçi sa më shpejt të lirohet?

Që në orët e vona të 27 shtatorit kur është ndaluar Thaçi nuk jemi ndalur së kontaktuari në të gjitha adresat e mundshme në Serbi lidhur me rastin e tij. Ka interesim të jashtëzakonshëm nga ana e misioneve diplomatike të akredituara në Beograd, ndërkohë që për shkak të korrektësisë nuk kisha dashur t’i komentoj veprimet që ata i kanë ndërmarrë pasi këtë mund ta bëjnë vetëm misionet…

RTK: Çfarë kemi mundësi ne si zyre ndërlidhëse ne Beograd të bëjmë. Pra cilat do jenë hapat tuaj të mëtejme?

Siç thash edhe ma herët, hapat e mëtejmë nuk mund të shihen të ndara nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Institucionet tjera. Ndoshta detaje më precize mund të jepen në Prishtinë. Ajo çfarë mund të them në këtë rast është se ne vazhdojmë me kërkesat tona për lirimin e menjëhershëm të Thaçi, por paralelisht po e përcjellim me shumë kujdes ç’do zhvillim në procesin kundër tij. Jemi maksimalisht të mobilizuar që t’i përgjigjemi menjëherë kërkesave që mund të paraqiten në ndërkohë.

Leni koment

Email-i juaj nuk do te publikohet.


*