OpinionToplajm

Për çka luftuam?

Shkruan: Arif MUÇOLLI

Në dukje të parë është jo normale ta bësh këtë pyetje pas 17 vite lirie.

Por, veprimet e pasluftës të disa individëve, të cilët kishin përgjegjësi gjatë luftës dhe pas saj, përgjegjësi këto të cilat gjithherë i keqpërdorën, të shtyjnë të bësh sot këtë pyetje:

Pse vallë, kaq shpejt e harruam sakrificën dhe vuajtjet tona, e harruam gjakun e dëshmorëve dhe të rënëve për lirinë?

A mos vallë, të gjitha këto u bënë për t’u pasuruar! Disa edhe për të marr pak “pushtet”.

Jo zotëri, ne nuk luftuam për të vjedhur e për t’u pasuruar, siç bëtë ju disa! Ju disa, nuk ngurruat që të vidhni edhe gjatë luftës, duke plaçkitur djersën e popullit, i cili dha çdo gjë për ta ndihmuar luftën.

U pasuruat, ndërtuat pallate, rehabilituat ata të cilët krijuan pasuri, duke bashkëpunuar me Serbinë, gjatë gjithë kohës së okupimit, duke u bërë edhe aksionar në kompanitë e tyre!?

Pra, për çka luftuam; për të vjedhur e për t’u pasuruar?

Siç po duket, ju disa, luftuat për ta plaçkit dhe ndarë pasurinë shtetërore, me mënyrat dhe format, tani të njohura.

Ju disa, edhe procesin e verifikimit të pjesëtarëve të luftës, e keqpërdorët.

Bëtë dëshmorë, njerëz të cilët kurrë nuk patën armë në dorë. Bëtë invalid, ata që juve ju ka konvenuar. Bëtë veteran tërë familjaret dhe farefisin e juaj. Rehabilituat dezertoret dhe kolaboracionistet, na nivelizuat me ta!

Edhe këtë proces, ju disa e shfrytëzuat për të fituar materialisht.

PO JU NA E MORËT FYTYRËN!

Komentoni