Opinion

Për cilin konsensus flet Surroi?

Shkruan: Bahri BIVOLAKU

Si duket dikujt ora i është ndalur dhe tani në vend që ta kurdisë dhe rregullojë me saktësinë e ditës së sotme, po synon që gjithë shoqërinë  ta kthejë atje ku i është ndalur ora. Paraqitjet publike të Veton Surroit vërtetë na kthejnë mbrapa në kohën e ekzistencës së partisë Ora, në kohën e parashpalljes së pavarësisë së Republikës së Kosovës, ku vendit i nevojitej uniteti veprues politik, na kthen tek proceset e kahershme të bisedimeve në Rambuje e Vjenë, sepse atje ka mbetur dhe ndalur, duke harruar se jeta në demokraci, në institucionet e dala nga zgjedhjet dallon, siç dallon konsensusi nga uniteti. Në demokraci konsensusi primar konsiderohet të jetë respektimi i rregullave të sjelljes brenda sistemit, për të gjithë akteret, gjersa të tjerët konsiderohetn sekondarë a terciarë.

Z. Surroi, mos vallë ke harruar se në procesin e bisedimeve të Vjenes, arkitektë të tyre ishin Blerim Shala dhe Edita Tahiri. Asnjëri nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës. Njëri madje drejtonte një subjekt opozitar, AAK-në. Epilogu i bisedimeve të Vjenes ka ardhur kryesisht prej këtyre njerëzve, që dikur i kishe miq dhe bashkëpunëtor në shumë procese.

Është e vërtetë që Demarkacioni e Asociacioni janë çështje të interesit shtetëror dhe gjithsesi se donë trajtim nga institucionet shtetërore. Së paku kështu na mëson demokracia.  Mendoj që koha e Grupeve të Unitetit është e përfunduar, gjersa debatet për këto çështje duhet zhvilluar në institucione. Fundja, konsensus nuk mund të arrihet me ato subjekte që kanë synime tjera që qojnë përtej shtetit të Kosovës.

Konfiguracionin i ri politik që ju e sugjeroni për ta tejkaluar të tashmin, ekskluzivisht varet prej votuesve. Dhe ai nuk zgjidhet në forma tjera, mbase siç do të kishit dëshiruar ju.

Pritja se Gjykata Speciale mund të krijojë teren të përshtatshëm për krijimin e një konfiguracioni të ri politik, duke aluduar në arrestime, është vërtetë jo morale. Vërtetë, është e pakëndshme që dikush në Kosovë dhe nga shqiptarët të arrestohej për periudhën e kohës së luftës, për çka edhe ka mandat kjo Gjykatë.

Kam bindjen që Surroi, konsensusin politik e konsideron vetëm nëse ai është pjesë e ekipit, ndryshe të tjerët nuk dinë. Është mirë që ai ta dijë rrugën se si të bëhet faktor dhe pjesë e proceseve politike. Formimi i partisë dhe dalja në zgjedhje apo kushtimisht inkuadrimi në jetën politike, është rruga e vetme që e sigurojnë këtë pozicion në Republikën e Kosovës.

Thirrja dhe fshehja pas emrit të ish presidentit Ibrahim Rugova, për të goditur të tjerët, i nderuar, nuk besoj që të bën nder. Së paku, kujtojeni kohën se si ish presidenti Rugova, ju trajtonte juve në trupin koordinues të partive shqiptare në ish Jugosllavi. Kujtojini arsyet pse e braktisët Partinë Parlamentare të Kosovës.

I nderuar, më së paku ju keni arsye për të qenë zëdhënës i LDK-së për vitet e nëntëdhjeta.

Komentoni