Ekonomi

Pensionet e veteranëve të sigurta deri në janar

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti sot në takim përfaqësuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, të prirë nga kryetari Smajl Elezi. 

Në takimit, ku ishin të pranishëm edhe zëvendëskryeministri i parë, Hajredin Kuçi dhe ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, u bisedua gjerësisht për çështjet që lidhen me kategoritë e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. 

Kryeministri Mustafa ka shprehur përkushtimin e plotë të Qeverisë së Kosovës për përkrahjen e të gjitha kategorive të dala nga lufta e UÇK-së, duke pas parasysh kontributin e tyre të jashtëzakonshëm për çlirimin e vendit. 

Gjatë takimit, është biseduar në veçanti për adresimin e çështjes së pensioneve për veteranët luftëtarë, me ç’rast ka ekzistuar mirëkuptimi i dyanshëm për nevojën që kjo çështje të zgjidhet duke pas parasysh mundësitë buxhetore, domosdoshmërinë e ruajtjes së marrëveshjes me Fondin Monetar Ndërkombëtare si dhe duke pas konsideratë të plotë për nevojat e veteranëve të luftës. 

Po ashtu, ka dominuar qëndrimi se duhet të gjendet zgjidhje për problemin e listave të veteranëve, duke përfshirë klasifikimin e tyre si dhe u shpreh angazhimi i përbashkët për gjetjen e një zgjidhje afatgjatë, në kohë reale, të kësaj çështje.

Gjatë takimit, u bisedua edhe për nevojat dhe çështjet tjera që lidhen me familjet e dëshmorëve, për invalidët e luftës çlirimtare dhe aspekte të tjera që kanë të bëjnë me këto kategori. /KI/

Komentoni