Kosova

Veseli: Nga sot, PDK ka Institutin për Studime Politike

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka prezantuar në konferencë për media, Institutin për Studime Politike.

Kryetari Veseli, theksoi se themelimi i Institutit për Studime Politike (ISP), do të jetë boshti i PDK-së, për të përgatitur dokumente analitike e studimore me interes për partinë dhe shoqërinë në përgjithësi.

“Në bazë të këtyre analizave shkencore, PDK-ja do të zhvilloj më tej programin e saj gjithëpërfshirës për shoqërinë kosovare por edhe do të veprojë, bazuar në të dhëna empirike dhe akademike”, theksoi Veseli.

Në këtë konferencë, kryetari Veseli prezantoi edhe udhëheqësit e ISP-së, Ramadan Ilazi – drejtor, ndërsa Anila Statovci – zëvendësdrejtore.

Gjatë fjalës së tij, drejtori I ISP-së, Ramadan Ilazi, tha se ky institut mirëpret kuadrat shkencore, jo vetëm nga PDK-ja por edhe ekspertët e lëmenjve tjerë duke theksuar se debati, analiza dhe ekspertiza shkencore i duhet shoqërisë në Kosovë.

Ndërsa, zëvendësdrejtorja Statovci, tha se Instituti për studime politike, do të ndihmoj edhe në inicimin dhe zhvillimin e debatit të përgjithshëm shoqëror në Kosovë, duke e promovuar PDK-në si një nga partitë model dhe kontribuuesit kryesor të këtij debati aq të nevojshëm në shoqërinë kosovare. /KI/

Komentoni