Kosova

Pardew: Serbia duhet ta njoh Kosovën (Video)

Ish-i dërguari i posaçëm amerikan për Ballkanin në fundin e viteve 1990, James Pardew foli për “Zërin e Amerikës” mbi sfidat me të cilat po përballet rajoni, si dialogu Kosovë-Serbi, zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit në Maqedoni, si dhe ndikimi rus në Ballkan.

Dialogun Kosovë-Serbi, Pardew i sheh si pozitive, por theksin e vë te njohja e pavarësisë të Kosovës nga Beogradi.

Bisedimet janë gjithmonë të mira. Por ajo që ka rëndësi është se për çfarë bihet dakort dhe çfarë zbatohet konkretisht. Në qendër të tyre është njohja e Kosovës nga Serbia. Kjo do t’i lejonte të dyja vendet të lëvizin përpara drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Serbia duhet të heqë dorë nga provokimi për të nxitur përçarje etnike për qëllime politike dhe ta kuptojë se e ardhmja e rajonit është tek bashkëpunimi dhe demokracia”, tha Pardew.

Sipas tij, e ardhmja e rajonit nuk janë grindjet rreth sovranitetit ose çështjeve të tjera.

“Pra në thelb këto bisedime janë rreth pranimit të Bosnjes, Kosovës, Serbisë, Maqedonisë në Bashkimin Evropian. Për realizimin e kësaj duhet njohja e Kosovës nga Serbia. Nuk mund të lësh një vende jashtë dhe të pranosh tjetrin. Në se Bashkimi Evropian do të pranonte vetëm njërin prej këtyre vendeve, çështjet e pazgjidhura do të transferoheshin brenda B.E.-së”.

“Të gjitha çështjet mes vendeve të Ballkanit duhet të zgjidhen para se ato të anëtarësohen në Bashkimin Evropian. Unë kam qënë kritik i Serbisë, por mendoj se Kosova ka shumë punë për të bërë në përmbushjen e standarteve të një demokracie perëndimore. Ka shumë korrupsion në Kosovë, shpresoj që qeveria e re do të merret me këtë çështje. Jam gjithashtu i shqetësuar nga frikësimi i shtypit dhe problemet me sundimin e ligjit. Pra, të gjitha vendet kanë shumë punë për të bërë”, tha diplomati amerikan.

I pyetur nëse vendet e Ballkanit mund t’u rezistojnë përpjekjeve të Rusisë për të ndikuar rajonin përmes investimeve dhe metodave të tjera, Pardew tha se mendon se këto vende mund të kenë nevojë për ndihmë.

“Jam i sigurtë se qeveritë evropiane dhe qeveria amerikane po punojnë me qeveritë e rajonit për t’iu kundërvënë këtyre përpjekjeve sepse ky është një problem i madh. Rajonit nuk i duhet një problem tjetër, vende që nxisin nacionalizmin ekstrem etnik, pasi ai tashmë po përballet me mjaft çështje të tjera si refugjatët, sfidat ekonomike, korrupsioni dhe probleme të tjera. Kështu që është e padrejtë që t’u shtosh këtyre demokracive të reja edhe ndërhyrjen ruse. Prandaj, unë mendoj se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian duhet t’i ndihmojnë këto vende në trajtimin e kësaj çështjeje”, tha ai.

Pardew ishte i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara në bisedimet që çuan në nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit. Kujtimet e tij nga rajoni, ai i ka përmbledhur në librin “Paqja, udhëheqja amerikane dhe fundi i gjenocidit në Ballkan”, i cili do të dalë në treg janarin e vitit të ardhshëm. /Telegrafi/

Komentoni