Ekonomi

Papunësia – shqetësim për të gjithë Ballkanin

Në vitin 2017, punësimi në shumicën e vendeve të rajonit arriti më në fund të rikthehet në nivelet që ishte para krizës financiare globale të vitit 2008-2009. Gjatë periudhës 12 mujore në vendet e Ballkanit Perëndimor u krijuan rreth 230 mijë vende pune me një rritje mesatare prej 3.8 për qind.

Sipas të dhënave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), të prezantuara në ‘Anketa e Fuqisë Punëtore’, deri në tremujorin e tretë të vitit 2017, shkalla e punësimit është 30.4 për qind, ndërsa shkalla e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore është 43.5 për qind.

Rritja e vendeve të punës në Kosovë është i mbështetur nga rritja ekonomike dhe programi për përshpejtimin e investimeve publike. Sektorët ekonomikë, që prijnë me punësim, vazhdojnë të jenë tregtia me 14.9 për qind, ndërtimtaria me 13.8 për qind, prodhimi me 13.3 për qind dhe arsimi me 9.2 për qind, pra mesatarisht punësimi u rrit me 8.5 për qind.

Sa i përket rritjes së punësimit në vendet e Ballkanit Perëndimor, pas vendit tonë, Serbia ka rritjen më të madhe të vendeve të punës me 4.3 për qind pavarësisht sezonit të varfër bujqësor dhe ngadalësimit të rritjes ekonomike në përgjithësi.

Sezoni i mbarë turistik dhe përshpejtimi i projekteve të ndërtimit në Malin e Zi nxitën hapjen e vendeve të reja të punës me një rritje me 3.5 për qind, në Shqipëri, punësimi u rrit me 3.4 për qind, ku në rritje kontribuuan sektori i shërbimeve dhe industria, si dhe ndërmarrësit e vetëpunësuar, ndërsa rritja e punësimit prej 2.7 për qind në Maqedoni ka ardhur kryesisht nga tregtia me shumicë dhe pakicë, konsumi privat, duke u ndjekur nga transporti, magazinimi dhe prodhimi industrisë përpunuese. Reformat e fundit në tregun e punës në Bosnjë dhe Hercegovinë sollën një rritje të punësimit me 1.8 për qind, mirëpo është i vetmi vend i Ballkanit Perëndimor ku punësimi nuk është rikthyer ende në nivelin që kishte para krizës.

Bizneset private, veçanërisht ato që ofrojnë shërbime, krijuan më shumë se gjysmën e totalit të vendeve të reja të punës në rajon, i cili u shndërrua në faktorin kryesor nxitës për rritjen e përgjithshme të punësimit. Në Shqipëri, krijimi i vendeve të punës në këtë sektor është nxitur nga industria e turizmit me 8.6 për qind duke kontribuar në rënien e papunësisë.

Pjesëmarrja në fuqinë punëtore u rrit në disa vende, megjithëse ajo është ende jashtëzakonisht e ulët, sidomos për femrat. Deri në mesin e vitit të kaluar, norma rajonale e pjesëmarrjes në fuqinë punëtore arriti në 53.2 për qind. Të gjitha vendet, me përjashtim të Bosnjës dhe Hercegovinës, përjetuan norma më të larta të pjesëmarrjes në fuqinë punëtore.

Papunësia në vitin 2017 pësoi rënie në të gjithë rajonin, me përjashtim të Kosovës dhe është kthyer në një shqetësim parësor për banorët e Ballkanit Perëndimor. Norma e papunësisë, deri në qershor të 2017-së arriti 19 për qind, mbetet tepër e lartë krahasuar me mesataren e vendeve të Bashkimit Evropian e cila është 7.7 për qind, mirëpo vihen re shenja inkurajuese të më shumë njerëzve që i bashkohen fuqisë punëtore dhe që gjejnë punë.

Në Serbi, për shembull, papunësia ra në nivelin më të ulët në 20 vjet me një normë 11.8 për qind, madje në kushtet e rritjes së vogël të pjesëmarrjes në fuqinë punëtore, ndërsa krijimi i vendeve të punës në Shqipëri kontribuoi në uljen e papunësinë me 1.6 pikë përqindje, dhe kjo ndodhi në kushtet e rritjes së pjesëmarrjes në fuqinë punëtore. Në Maqedoni, papunësia shënoi një rekord të ulët historik prej 22.6 për qind, kurse në Mal të Zi për shkak të një sezoni shumë të favorshëm turistik papunësia zbriti në 15.1 për qind. Papunësia në Bosnjë dhe Hercegovinë zbriti me 4.9 pikë përqindje duke rënë në 20.5 për qind, niveli më i ulët që nga viti 2007.

Kosova është i vetmi vend ku papunësia u rrit në 30.6 për qind, pasi rritjes së punësimit iu desh kohë të arrinte rritjen e madhe të pjesëmarrjes në fuqinë punëtore. Sipas ASK-së, papunësia më e theksuar është te femrat me 38 për qind, krahasuar me meshkujt që është 27.8 për qind. Shkalla më e theksuar e papunësisë është te grup-moshat 15-24 vjeç me 53.3 për qind me një total të përgjithshëm të papunësisë prej 30.2 për qind.

Gjithashtu, papunësia në radhët e të rinjve pësoi rënie në të gjitha vendet e rajonit, por ende mbetet jashtëzakonisht e lartë, duke u sjellë nga 26.4 për qind në Shqipëri në 50.9 për qind në Kosovë.

Punësimi në sektorin publik përbën mesatarisht rreth 23 për qind të punësimit total në rajon. Pagat më të larta në sektorin publik se ato në sektorin privat mund të reduktojnë punësimin në sektorin privat.

Rritja ekonomike, krijimi i vendeve të punës dhe inflacioni i ulët nxorën shumë njerëz nga gjendja e varfërisë. Shkalla mesatare e varfërisë për Shqipërinë, Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë vlerësohet se ka rënë me afërsisht 1 pikë përqindje në vitin 2017 krahasuar me një vit më parë, duke arritur në një nivel të parashikuar prej 23.6 për qind. Kjo nënkupton se rreth 124 mijë njerëz në këto vende nuk jetojnë më në varfëri. Në mënyrë që të ruajnë arritjet e fundit në drejtim të përmirësimit të mirëqenies, vendet e rajonit duhet të vazhdojnë të gjenerojnë mundësi të reja punësimi si dhe të rrisin të ardhurat nga puna për të reduktuar varësinë nga transfertat sociale.

Sipas të dhënave për nivelin e pagave nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), në fund të vitit 2016, paga bruto në sektorin privat ishte 371 euro, ndërsa në atë publik paga bruto ishte 525 euro.

Komentoni