Kosova

Papërgjegjësia: Para kohës mbyll zyrën dhe nuk e hap edhe pas pauzës

Administrata e gjendjes civile në Klinë të premten i jep pushim më shumë vetes se orari i paraparë.

Alban Pajazitit nga Vushtria iu desh të pres disa orë për një ndrrim të emrit të nënës në komunën e Klinës, e cila është nga ky qytet. Ai ka shkuar në ora 11:45 për të marrë shërbimin e nevojshëm. Por për çudi zyrtari i administratës, Fazli Morina, i tha se është afër pushimit që fillon në ora 12, dhe nuk mund t’i ofrojnë shërbim!

“Kam ardhë nga Vushtrria dhe kam dashur të ndrrojë emrin e nënës në Klinë. Në ora 11:45 më kanë thënë se janë afër kohës së pauzës dhe nuk kanë ofruar shërbim”, tha Pajaziti për Kosova.info.

Por edhe pas kohës së pauzës punonjësi përgjegjës mungonte në zyrë, duke bërë që Albani të pres edhe më shumë.

“Në ora 13 jam kthye sërish në komunë ndërsa zyrtari përgjegjës që ishte i vetmi që kryen këtë ende nuk kishte ardhur. Duke qenë që jam nga Vushtrria e thirrëm me telefon dhe ende jemi në pritje për të ardhë”, tha ai i acaruar duke denoncuar publikisht papërgjegjësinë e punonjësit në administratën komunale. /KI/

Komentoni