Ekonomi

Panairi i “Grave në Biznes” hapet në Prishtinë

Në Prishtinë është hapur panairi treditor “Gratë në Biznes”. Ky panair është organizuar nga Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA) në bashkëpunim me OJQ “Gratë në Biznes” dhe synon promovimin e veprimtarisë ndërmarrëse te gratë e të gjitha komuniteteve, integrimin e tyre në shoqëri si dhe inkurajimin e grave tjera për t’u futur në aktivitete biznesore.

Drejtori i Përgjithshëm i KIESA/MTI, në ceremoninë e hapjes, ndër të tjera, theksoi “Ne si ministri përkrahim organizimin e këtij panairi të grave çdo vit më qëllim të mbështetjes së bizneseve me pronare të gjinisë femërore. Kjo përkrahje  nuk është vetëm e Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë por e gjithë qeverisë për të avancuar gruan në Kosovë dhe  është mirë që gratë po marrin pjesë në biznes dhe janë ndërmarrëse të mira” u shpreh Mustafa.

Hamide Latifi, drejtoreshë ekzekutive në OJQ “Gratë në Biznes” pasi përshëndeti të pranishmit dhe falënderoi MTI/KIESA-n për përkrahjen e ndërmarrësisë së grave, theksoi së çmon vullnetin dhe punën e madhe të grave për të shndërruar nismat e vogla në biznese më të mëdha.

Në këtë panair po marrin pjesë rreth 60 biznese / OJQ  që udhëhiqen nga femrat të cilat promovojnë dhe shesin produktet e tyre të sektorëve të ndryshëm si: Sektori i artizanateve, tekstilit, bujqësisë dhe sektori i ushqimit tradicional. Panairi do të jetë i hapur deri me 28 korrik 2016. /KI/

Komentoni