Ekonomi

Pal Lekaj: Trepça të rifillojë ta mbajë barrën kryesore ekonomike

Kryetari i grupit parlamentar i AAK-së në Kuvendin e Kosovës, njëherësh nënkryetar i kësaj partie, Pal Lekaj, ka thënë se Trepçës sot në orët e mëngjesit, Kuvendi i Kosovës dhe deputetët e tij, i dhanë një zgjidhje juridike e ligjore, duke e bërë Trepçën, ashtu sikurse ishte që sa kohë, aset me rëndësi të veçantë për vendin, por barrë për Kosovën deri tash për fajin e neglizhencën e Qeverisë. Në llogarinë e vet në “Facebook”, deputeti Lekaj ka shkruar këtë koment rreth Ligjit për Trepçën.

Pas shumë vitesh, Trepça do të mund të rifillojë ta mbajë barrën kryesore të zhvillimit ekonomik për Kosovën.

Sot në orët e mëngjesit Kuvendi i Kosovës, deputetët, i dhanë një zgjidhje juridike e ligjore Trepçës, duke e shpëtuar nga likuidimi e falimentimi. E, si çdoherë, e për çdo gjë që është e Kosovës dhe e qytetarëve të saj, Aleanca e ka dhënë kontributin e saj për Trepçën si aset me rëndësi të veçantë për vendin.

Jemi kujdesur që të mos na ndodhë ndonjë befasi e keqe për të. Nuk kemi lejuar që Qeveria të kontrabandojë nene të dyshimta të cilat do të interpretoheshin sipas tekave të ndryshme.

Ashtu siç kemi qenë bashkë me qytetarët, gardian të idesë, që Trepça duhet t’i takojë Kosovës dhe qytetarëve të saj, do të vazhdojmë të angazhohemi edhe në të ardhmen që të ketë trajtim të veçantë, duke insistuar që Qeveria si aksionare të sjellë pa shumë vonesa ide e plane konkrete për funksionalizimin e plotë të Trepçës.

Trepça e ka mundësinë ta mbajë barrën kryesore të zhvillimit ekonomik për vendin. Mjerisht deri tani ka qenë barrë për Kosovën, jo për fajin e vet, por për fajin e neglizhencës së Qeverisë.

Krahas kësaj, minatorëve, Mitrovicës e Kosovës iu themi urime për Ligjin e Trepçës, i cili hap rrugët e zhvillimit e të forcimit të saj. Nga Trepça do të përfitojë Kosova, kur e them këtë, e mendoj si tërësi, nga lindja në perëndim e nga jugu në veri, të gjithë qytetarët, asnjë etni që jeton në Kosovë, nuk duhet ta shohë veten të anashkaluar.

Urime!

Komentoni