Kulturë

Pacolli: Suksesi nuk përbëhet nga fjalët, por nga veprat

Në hapësirat e Kolegjit AAB, në një sallë të stërmbushur me studentë, intelektualë dhe profesorë, Presidenti i Aleancës Kosova e Re z. Behgjet Pacolli ka promovuar librin e tij të radhës me titull “15 Parimet e Suksesit sipas Behgjet Pacollit”.

Fillimisht, disa fjalë për librin dhe personalitetin e z.Behgjet Pacolli, i thanë edhe panelstët e pranishëm në promovim; realizuesja e intervistave për librin znj.Mimoza Thaçi si dhe rektori i Kolegjit AAB z.Lulzim Tafa, të cilët vlerësuan kontributin e z.Pacolli si të jashtëzakonshëm.

Libri “15 parimet e suksesit sipas Behgjet Pacollit”, është një përmbledhje e një periudhe të jetës së tij, ku përmes eksperiencave të veta Pacolli synon motivimin e të tjerëve në rrugën drejt suksesit.

Lideri i AKR-së gjatë fjalimit të tij motivues para mysafirëve, foli për rrugëtimin e tij profesional, teksa shpjegoi mënyrat e shfrytëzimit të potencialit dhe kreativitetit të cilat shpijnë një njeri drejtë suksesit.

AI rrëfeu para studentëve shumë momente interesante që ka pasur gjatë jetës së tij qysh nga fëmijëria e deri në ditët e sotme. Pacolli tha se çdo njeri që dëshiron të jetë i suksesshëm në jetë, duhet të ketë ide, të cilën duhet ta shndërrojë në praktikë. “Shndërrimi i një ideje në një projekt ka një parakusht: duhesh ta duash atë ide dhe rrjedhimisht ta shndërrosh atë në projekt. Prandaj, dashuria e madhe për punë, për të vepruar dhe për të krijuar, e dërgon njeriun drejt suksesit. Këto që i përmenda përbëjnë mbi 60% të mundësisë së suksesit, ndërsa pjesa tjetër është dedikimi i kohës dhe investimet materiale”, tha Pacolli, duke shtuar se rruga e vetme drejtë suksesit është puna dhe angazhimi.

Në fund të këtij fjalimi motivues nga lideri i AKR-së , studentët patën mundësinë të bëjnë edhe pyetje për z.Pacolli nga i cili morën përgjigjet dhe qëndrimet e tij për çështje të ndryshme që lidhen me pikat e shpjeguara në këtë libër. /Kosova.info/

Komentoni