Lajme

Pacolli në Kamenicë shpalos vizioin e tij për Zhvillim Ekonomik dhe Punësim

Presidenti i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, sot në Kamenicë ka filluar debatet me qytetarë për Zhvillim Ekonomik dhe Punësim. Qëllimi i këtyre debateve është ngritja e pjesëmarrjes së qytetarëve në vendimmarrje në mënyrë të drejtpërdrejt si dhe evidentimi i kërkesave të tyre për prioritetet dhe problemet me të cilat ata ballafaqohen. 

Duke e shpalosur vizionin e tij për zhvillimin ekonomik të vendit, në prezencë të një numri të madh të qytetarëve në Kamenicë, lideri i Aleancës Kosova e Re Behgjet Pacolli, ka folur për gjendjen e rëndë ekonomike në Kosovë si dhe për mënyrat se si mund të dilet nga kjo situatë. 

Fillimisht numri një i Aleancës Kosova e Re, ka folur për planet e AKR-së për ndërtimin e shtetit ligjor dhe krijimin e bazës së nevojshme për investimet e huaja.

Aty u diskutua për strategjitë kombëtare të AKR-së, të bazuara në potencialet reale të vendit, si dhe për investime në sektorët me potencial për prodhim si; bujqësia, energjetika, shërbimet e avancuara si dhe shumë fusha të tjera të cilat kanë hapësirë veprimi në Kosovë. 

Presidenti i AKR-së, ka drejtuar një serë kritikash ndaj qeverisë, lidhur me mënyrën e privatizimit të ndërmarrjeve publike. Ai po ashtu e ka fajësuar edhe Agjencinë Kosovare të Privatizimit për shkatërrim të prodhimtarisë dhe rritje të papunësisë në vend. Pacolli ka thënë se udhëheqja e Kosovës ka dështuar edhe në privatizim por edhe në krijimin e ambientit të sigurt dhe atraktiv për investime. “Investitorët duhet të kenë siguri që të vijnë të investojnë në Kosovë, ndërsa qeveria jonë i shantazhon ata”, është shprehur Pacolli. 

Më tej lideri i AKR-së ka thënë se këto probleme nuk tejkalohen me qeverinë aktuale e cila ka krijuar një shtet jofunksional, në të cilin nuk respektohet ligji dhe nuk ka llogaridhënie. Ai ka thënë se përkujdesja e qeveritarëve ndaj qytetarëve bëhet vetëm në kohë të zgjedhjeve. “Udhëheqja e këtij vendi është ajo e cila ia ka humbur shpresën popullit të Kosovës. Ju i keni dëgjuar edhe përgjimet që u publikuan. Aty shihej se si punësohen njerëzit, andaj normalisht që të rinjve ju ka humbur shpresa për të jetuar në Kosovë” ka thënë Pacolli, duke vënë theks të veçantë në daljen e rinisë jashtë vendit për shkak të perspektivës së paqartë për një të ardhme më të mirë në Kosovë. 

Debati ka vazhduar me pyetje të shumta të qytetarëve të Kamenicës për Pacolli, i cili e mori fjalën dhe u dha përgjigje kërkesave, pyetjeve dhe çështjeve të tjera që i shtruan pjesëmarrësit në këtë takim. /KI/

Leni koment

Email-i juaj nuk do te publikohet.


*