Kosova

Pacolli në Gjakovë: Kosova ka nevojë për njerëz të hapur ndaj punës

Në prani të një numri të madh të të rinjve, sonte në Gjakovë Aleanca Kosova e Re ka mbajtur Kuvendin Zgjedhor të Forumit Rinor në këtë degë.  Përveç mysafirëve dhe delegatëve të pranishëm, punimet e Kuvendit kishte ardhur t’i ndjekë nga afër edhe presidenti i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, bashkë me koordinatorin e zgjedhjeve në AKR Vesel Makolli, sekretaren organizative të partisë znj. Rejhan Vuniqi, koordinatorët e Forumit Rinor në nivel qendror Sami Borovci dhe Zijadin Geci, koordinatorin e degës së AKR-së në Gjakovë Luan Shllaku e shumë të tjerë.

Në fjalën e tij përshëndetëse, lideri i AKR-së Behgjet Pacolli, ka thënë se rinia është resursi më i mirë që e ka Kosova. “Vetëm rinia mund ta bëjë ndryshimin, është mundësia dhe shansi i fundit që rinia dhe liberalët të marrin udhëheqjen e këtij vendi, sepse Kosova ka nevojë për  njerëz të hapur ndaj punës dhe shoqërisë”, ka thënë i pari i Aleancës Kosova e Re, duke shtuar se Kosova ka një rini të aftë si çdo rini tjetër, por se mundësitë e saj janë të tkurrura për shkak të njerëzve të papërgjegjshëm.  

Më pas Kuvendi i ka vazhduar punimet, ku nga procesi i rregullt zgjedhor, në prani të 160 delegateve me 45 vota epërsi ndaj kundërkandidatit të saj Jetmir Kazazi, me shumicë votash kryetare e Forumit Rinor të AKR-së në Gjakovë është zgjedhur koordinatorja e deritashme e Forumit të degës, znj. Gresa Pozhegu.

Kryetarja e sapo zgjedhur, duke i falënderuar të pranishmit, ka thënë se me ndihmën e presidentit Behgjet Pacolli, ajo do të angazhohet në realizimin e projekteve të Aleancës Kosova e Re të dedikuara  për rininë në Gjakovë.

Para delegatëve në Kuvend ka folur edhe koordinatori i zgjedhjeve në AKR, Vesel Makolli, i cili ka thënë se me qeverisjen e AKR-së, Kosova nuk do të jetë më vrima e zezë e Evropës.

“Me qeverisjen e AKR-së dhe presidentin Behgjet Pacolli, zhvillimi ekonomik do të kapë rritjen ekonomike dyshifrore, duke sjellë investime dhe duke krijuar vende të reja pune”, ka thënë ai.

Ndërsa koordinatori i degës së Aleancës Kosova e Re në Gjakovë, Luan Shllaku, ka thënë se presidenti Pacolli është i vetmi politikan në Kosovë që ka treguar maturi në realizimin e premtimeve të tij. Ai ka thënë se realizimi i projekteve për rininë do të bëhet vetëm përmes AKR-së.

Kuvendi më pas zgjodhi edhe strukturat tjera udhëheqëse të Forumit të degës, si dhe kryesinë e Forumit të përbërë prej 15 anëtarëve. /KI/

Komentoni