Kosova

Pacolli: Ne duam menjëherë liberalizimin që të rinjtë tanë të mos ndihen të izoluar dhe diskriminuar në nivel evropian

“Ne duam menjëherë liberalizimin e vizave, sepse ne nuk duam që të rinjtë tanë, që njerëzit e biznesit, të ndihen të izoluar, të diskriminuar në nivel evropian”. Kështu i ka thënë Zëvendës Kryeministri i Parë dhe Ministri i Jashtëm Pacolli, homologut të tij hungarez, Peter Szijarto.

Përkitazi me këtë, Zëvendës Kryeministri i Parë dhe Ministri i Jashtëm Pacolli i kërkoi homologut të tij hungarez, që procedura e dhënies së vizave të lehtësohej që tani edhe në nivel dypalësh.

Nga ana e tij, Ministri Szijarto, e quajti shumë të drejtë këtë shqetësim dhe e njohu Zëvendës Kryeministrin e Parë dhe Ministrin e Jashtëm Pacolli me një rast të ndërhyrjes së tij për të shkurtuar afatet e takimeve për viza në Ambasadën hungareze në Prishtinë, dhe tha se do konsideronte çdo hapësirë për të lehtësuar procedurat.

Zëvendës-Kryeministri i Parë dhe Ministri i Jashtëm Pacolli, e nisi vizitën e tij sot në Hungari, respektivisht pjesëmarrjen në kuadër të ministerialit të Procesit të Vishegradit, me takimin bilateral me homologun e tij hungarez, Peter Szijarto.

“Ne kemi marrëdhënie të shkëlqyera politike dhe duhet të ndërtojmë edhe marrëdhëniet ekonomike në këtë nivel“, kanë rënë dakord të dy bashkëbiseduesit.

Në vijim të takimit, Ministri hungarez e garantoi shefin e diplomacisë kosovare për mbështetjen e vendit të tij dhe të grupit të vendeve të Vishegradit për anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe e njohu me ndihmën hungareze për Kosovën në fushën ekonomike, financiare dhe në arsim.

Zëvendës-Kryeministri i Parë dhe Ministri i Jashtëm Pacolli e vlerësoi si shumë të rëndësishme këtë mbështetje dhe kërkoi praninë e investitorëve hungarezë në zhvillimin e Kosovës.

Në këtë drejtim, ai, tha se Kosova mirëpret praninë e mallrave hungarezë të njohur për cilësinë e lartë në tregun e saj.

Gjithashtu, Zëvendës-Kryeministri i Parë dhe Ministri i Jashtëm Pacolli shprehu gatishmërinë, që kredia hungareze me terma të butë prej 60 milionë eurosh të orientohet në sektorë, që kanë nevojë imediate dhe të ofrohen me shpejtësi projekte, që ajo të fillojë sa më shpejt.

Pjesë e rëndësishme e bisedës ishin edhe zhvillimet politike në Kosovë dhe dialogu me Serbinë.

Në lidhje me këtë, Zëvendës-Kryeministri i Parë dhe Ministri i Jashtëm Pacolli tha se qeveria e re e Kosovës ka qasje reformatore dhe do punojë, që dialogu me fqinjin verior të vendoset në pozita reciprociteti, veçanërisht në planin ekonomik.

Në këtë takim morën pjesë edhe Ambasadorja e Kosovës në Hungari, Luljeta Vuniqi dhe Zëvendës-Ministrja e jashtme, znj Rejhan Vuniqi. /KI/

Komentoni