Kosova

Pacolli: Kosova ka qeveri dhe opozitë të mbrapshtë

“Qeverisje e mbrapshtë dhe opozitë parlamentare e mbrapshtë, ky është vlerësimi im”, ka qenë përgjigjja e presidentit të Aleancës Kosova e Re (AKR), Behgjet Pacollit, kur është pyetur për qeverisjen e koalicionit PDK-LDK dhe për rolin e opozitës.

Pacolli në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re” ka thënë se koalicioni qeverisës është i paaftë për të bërë punë për qytetarin pasi, sipas tij, po shihet se është shumë i interesuar të merret me probleme politike.

“Më thoni vetëm një çështje ekonomike me të cilën është marrë Qeveria që nga fillimi i mandatit. Nuk ka asnjë. Në anën tjetër, më thoni vetëm një kritikë të opozitës ndaj Qeverisë për çështjet ekonomike. Nuk ka asnjë. Nuk ka, sepse këta njerëz janë të interesuar ta mbajnë peng Kosovën të pazhvilluar sepse vetëm kështu vijnë në shprehje ata. Tani është momenti i fundit i tyre. Ata do ta marrin përgjigjen e drejtë sepse kjo rini nuk do t’i durojë”, ka thënë Pacolli. 

Pacolli ka mohuar lajmin se ai do të jetë kandidat i përbashkët i PDK-së dhe i AKR-së për kryetar të Prishtinës në zgjedhjet lokale të cilat do të mbahen vitin e ardhshëm. Ai thotë se lajmet e tilla kanë qëllim dëmtimin e imazhit të AKR-së.

“AKR-ja ka vijë të kuqe bashkëpunimi me të gjitha subjektet aktuale në parlament, sepse i konsideron përgjegjëse të drejtpërdrejtë të kësaj gjendje të keqe. Është qëndrim imi i prerë dhe i AKR-së që gjendja në këtë vend nuk ndryshohet duke bashkëpunuar me subjekte të cilat janë dëshmuar se kanë punuar dhe punojnë kundër interesit të qytetarit të vendit”, ka deklaruar Pacolli.

Duke folur për zhvillimet në AKR, Pacolli ka thënë se partia e tij po rritet duke konsoliduar gradualisht dhe suksesshëm. Sipas tij, procesi i zgjedhjeve në AKR po shkon mirë dhe është shumë i kënaqur me përgjigjen dhe entuziazmin e njerëzve për AKR-në.

“Mos harroni se vendi dhe qytetarët janë duke u ballafaquar me varfëri ekstreme. Rinia jonë, që përbën shumicën e popullsisë, bredh rrugëve në mungesë të perspektivës. Izolimi i vendit e ka humbur shpresën e qytetarëve për një të ardhme më të mirë dhe për këtë, fajtor është e tërë klasa politike, pozitë dhe opozitë. Në këtë periudhë rikonsolidimin e AKR-së unë e kam parë si mundësi për qytetarët e Kosovës, e kam parë si mundësi për Kosovën”, ka theksuar Pacolli, duke shtuar se AKR-ja është e pastruar nga elementë që interesin personal e kanë pasur prioritet.

“Deri në këtë moment pjesë e zgjedhjeve të brendshme në AKR kanë qenë rreth 10 mijë persona, ndërsa synimi ynë është që deri në fund të procesit, që do të ndodhë diku në fund të tetorit, të përfshihen në mënyrë aktive diku 30-35 mijë qytetarë. Në AKR janë afruar njerëz me potencial të madh intelektual dhe shkencor, njerëz që e duan Kosovën të zhvilluar ekonomikisht dhe me mirëqenie për qytetarët e saj”, është shprehur Pacolli.

Në këtë intervistë Pacolli ka folur për çështjen e demarkacionit me Malin e Zi. Ai ka thënë se kjo çështje është problematizuar për shkak të paaftësisë së kësaj klase politike për të bërë diçka të mirë për shtetin e Kosovës. Pacolli mendon se çështja e demarkacionit me Malin e Zi do të qartësohej më mirë po të shkonte në arbitrazh ndërkombëtar.

“Pala e Kosovës, para se të jetë bllokuese, duhet të arrijë një marrëveshje edhe me Malin e Zi. Duhet të arrijë marrëveshje që votën për demarkacionin ta kushtëzojë me dërgimin e çështjes në Arbitrazhin Ndërkombëtar”, është shprehur lideri i AKR-së.

Komentoni