Kosova

Pacolli kërkon nga Luksemburgu mbështetje për liberalizim të vizave

Zëvendës-Kryeministri i parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, z. Behgjet Pacolli, priti në një takim kurtuazie, të Ngarkuarën e Përkohshme me Punë në Ambasadën e Luksemburgut në Kosovë, Anne Dostert. Në takim është diskutuar për marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy vendeve, si dhe është kërkuar mbështetje për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Zëvendës-Kryeministri i parë dhe Ministri i jashtëm, Pacolli ka ri konfirmuar bashkëpunimin dhe ka shprehur nevojën për shikimin e mundësive për rritjen dhe zgjerimin edhe në fusha të tjera të bashkëpunimit. Kosova sipas tij, është shtet i ri, i cili ka nevojë për miq dhe përkrahje, siç e ka nga Luksemburgu dhe miqve të tjerë perëndimor.

“Kërkojmë mbështetjen në lehtësimin e procedurave të pajisjes me viza, si dhe kushteve për liberalizim të vizave për qytetarëve të Kosovës. Kosova dhe Mali i Zi kanë marrëdhënie të shkëlqyeshme dhe kjo nuk duhet ta pengojë vazhdimin e procesit të liberalizimit të vizave, pasi që qytetarët e Kosovës janë të vetmit në Evropë dhe Ballkanin Perëndimor, të cilët nuk e kanë të drejtën e lëvizjes së lirë”, ka thënë Pacolli.

Në vazhdim të bashkëbisedimit, Zëvendës-Kryeministri i parë dhe Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, z. Pacolli, e ka njoftuar diplomaten nga Luksemburgu se Ministria e Punëve të Jashtme është duke punuar intenzivisht edhe për mënyrat se si të prezantohen dhe promovohen potencialet dhe vlerat e Kosovës në marrëdhënie me jashtë.

Po ashtu, është kërkuar edhe rritje e bashkëpunimit ekonomik dhe të investimeve.

Nga ana tjetër, E Ngarkuara e Përkohshme me Punë në Ambasadën e Luksemburgut, Anne Dostert, e ka uruar fillimisht Pacollin për detyrën e re dhe ka shprehur përkrahjen e saj dhe të shtetit të Luksemburgut, duke shprehur zotimin për vazhdimin e mbështetjes së palëkundur nga ky shtet. Kjo mbështetje, sipas diplomates nga Luksemburgu do të vlejë edhe për përkrahjen e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare. Të dy bashkëbiseduesit janë pajtuar që të vazhdojë bashkëpunimi tanimë i vënë në fushën ekonomike, arsim dhe shëndetësi. /KI/

Komentoni