Kosova

Pacientët të shtyrë të kërkojnë shërim jashtë Kosovës

Në pamundësi për t’u kryer disa intervenime në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, shumë pacient po detyrohen të kërkojnë trajtim jashtë vendit. Për këtë qëllim Ministria e Shëndetësisë për këtë vit ka ndarë 6 milionë euro.

Por anëtari i Komisionit për Shëndetësi, Haxhi Avdyli tha për Radio Kosovën se institucionet përgjegjëse do të duhet të punojnë më shumë në krijimin e kushteve që intervenimet të kryhen në QKUK, e jo në ngritjen e fondit për trajtim jashtë vendit.

Institucionet e Kosovës nuk kanë investuar sa duhet për krijimin e mundësive që intervenime të ndryshme të mund të kryhen në QKUK. Kështu ka thanë për Radio Kosovën, Haxhi Avdyli, anëtar i Komisionit për Shëndetësi dhe Punë Sociale. Sipas tij nuk është për tu krenuar nëse rritet buxheti për trajtim jashtë vendit, por do të duhet të krijohen kushte që shumë nga intervenimet të kryhen në QKUK.

“Nuk është krenari për institucionet nëse e rrisim buxhetin për shërim jashtë vendit. Krenari për shtetin tonë është nëse e rritim buxhetin për sektorin vital në shëndetësi, dhe ta ulim nevojën e dërgimit jashtë vendit. Është imediate qe ne ta rrisim buxhetin për ato vende ku pacientet tanë po ngarendin për tu trajtuar jashtë, dhe të arrijmë sa më shpejt të krijojmë kushte”, tha Avdyli.

Shpend Fazliu, zëdhënës në QKUK, ka deklaruar se disa nga intervenimet të ndërlikuara nuk mund të kryhen në QKUK, dhe për këtë shkak pacientet detyrohen të drejtohen vendeve tjera. Fazliu tha se në disa klinika vetëm për mungesë të një pajisje të thjesht nuk mund të kryhet intervenimi.

“Ka klinika ku për një specifikë apo pajisje të vogël mundet me qenë jashtë funksionit një shërbim. Pra fokusi kryesor do të jetë në blerjen e aparaturave për funksionalizim të shërbimeve të caktuar që për një mungesë të një pajisje nuk po mund të funksionalizohet aparati”, tha Fazliu.

Ndërsa, Faik Hoti, drejtor për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, tha se do punohet në avancimin e shërbimeve të reja, sidomos në fushën e kardiologjisë, kardiokirurgjisë, onkologjisë dhe në fushën e pediatrisë, ku edhe ka më së shumti raste.

“Intenca e Ministrisë së Shëndetësisë është që ti forcoj shërbimet ekzistuese dhe të hap shërbime të reja, në mënyrë që numri i atyre që kanë nevojë për trajtim jashtë QKUK-së të jetë sa më i vogël”, tha Hoti.

Komentoni