Kosova

OSBE dënon fuqishëm sulmin ndaj transmetuesit publik në Kosovë

Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Jean-Claude Schlumberger, dhe Përfaqësuesja e OSBE-së për Lirinë e Medias, Dunja Mijatoviç, kanë dënuar sot sulmin e mbrëmshëm në mjediset e Radio Televizionit të Kosovës (RTK) në Prishtinë.

Një mjet shpërthyes është hedhur në oborrin e RTK-së, në afërsi të antenave të transmetimit. Për fat të mirë, në shpërthim nuk ka pasur të lënduar.

“Jam i tmerruar nga sulmi ndaj RTK-së në kohën kur kishte ende njerëz që punonin brenda ndërtesës. Ky duket të jetë akt frikësimi dhe e dënoj atë në mënyrën më të fuqishme. Ky është sulm ndaj një institucioni të rëndësishëm publik dhe ndaj lirisë së shprehjes,” tha Ambasadori Schlumberger.

“U bëj thirrje organeve për zbatim të ligjit që të hetojnë këtë rast sa më shpejt që të jetë e mundur dhe të sjellin autorët para drejtësisë,” shtoi ai.

Duke u shprehur e lehtësuar që nuk ka pasur të lënduar në sulm, Mijatoviç tha: “Ky është një sulm i pastër në median e lirë dhe në shoqërinë në tërësi, të cilin e dënoj në kuptimin më të fuqishëm të fjalës. Besoj se ky incident do të hetohet shpejt dhe në tërësi.”

Komentoni