Lajme

Opozita mohon hapjen e 40 mijë vendeve të reja të punës

Janë 40 mijë vende të reja të punës që janë hapur vetëm gjatë vitit 2015 dhe 2016. Kështu ka thënë në emisionin “Imazh” në RTK, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë Hikmete Bajrami. Por, sipas opozitës këto të dhëna nuk po i shohin qytetarët që po braktisin vendin.

Ministrja Bajrami është shprehur se nga këto vende të punës, 18 mijë janë hapur në vitin 2015 kurse 22 mijë vende tjera të reja janë hapur në vitin 2016.

Ajo ka thënë se rëndësi i është dhënë edhe bujqësisë, ku ka një numër të madh të punësuarish e që nuk janë zyrtarizuar. Por, ajo ka thënë se subvencionet dhe grantet në këtë fushë po japin rezultate të mira. 
Ministrja Bajrami po ashtu ka thënë se në vitin 2016, janë regjistruar 10549 biznese të reja në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, ndërsa 20 përqind e numrit të regjistrimeve shuhen. 

Por, me këto të dhëna nuk është pajtuar Teuta Haxhiu, deputete e AAK-së. “Sikur këto shuma të jenë reale, do t’i ishim gëzu këtij lajmi. Unë do të doja të dij se ku janë ata të punësuar, sidomos në komunën e Gjakovës nga vij apo edhe nga Deçani”, ka thënë deputetja Haxhiu, duke pyetur se ku janë këta të punësuar. 


Ajo është shprehur se derisa po flitet për një numër prej 40 mijë të punësuarish, qytetarët këtë nuk po e shohin. 


“Janë edhe qindra dhe mijëra të rinj që sot po e lëshojnë Kosovën. Në këtë shifër që po përmendet mund të themi se jo vetëm 90 përqind por 99 përqind janë njerëz të punësuar e që kanë hyrë në sistem”, ka thënë Haxhiu. 


Ajo është shprehur se nëse Qeveria arrin të thojë vetëm 1000 emra të punësuarish të rinj do të ishte një sukses i madh. 


Por, ministrja Bajrami, ka thënë se kjo mund të vërtetohet me lehtësi në trustin pensional dhe ATK se këta të punësuar kanë filluar të paguajnë taksa. 

Leave a comment

Your email address will not be published.


*