KosovaToplajm

Operacioni i arrestimit të policit të Kosovës që transportonte drogë

Në Rubrikën “Policia” të emisionit “Drejtësia në Kosovë” u shfaq aksioni për arrestimin e një polici, që sipas forcave të rendit transportonte narkotikë për dy grupe kriminale.

Në pamjet filmike të shfaqura shihet ndjekja e pjesëtarit të policisë nga kolegët dhe arrestimi i tij, pasi në bagazhin e veturës iu gjetën 15 kilogramë marijuanë që për destinacion kishin Podujevën.

Tre muaj hetime intensive duke përdorur masa të fshehta iu deshën policisë për ta kapur në flagrancë policin dhe katër persona tjerë të lidhur me narkotikët.

Pas arrestimit të policit për trafikim me narkotikë, në Rubrikën “Policia” të “Drejtësisë në Kosovë” u treguan pamjet e bastisjeve në shtëpinë e këtij zyrtari që iu mor arma dhe mjetet tjera policore me të cilat kryente detyrën e tij.

Aksioni nuk u ndal vetëm me sekuestrimin e marijuanës, kapjen e policit dhe bastisjen e ambienteve ku ai jetonte.

Duke kapur me këtë arrestim fillin e grupit që merrej me trafikim narkotikësh, policia bastisi katër lokacione të ndryshme në Pejë ku u arrestuan katër persona tjerë.

Komentoni