Kosova

OJQ-të kërkojnë shkarkimin e Lumezit dhe hetimin afërsisë së tij me PDK-në

Shoqëria Civile në Kosovë thotë se integriteti dhe besueshmëria e Kryeprokurorit të Shtetit dhe prokurorisë kanë rënë, pas publikimit të përgjimeve “Pronto 3”, ku shpërfaqet afërsia që Aleksandër Lumezi e ka me Partinë Demokratike të Kosovës, në të cilën kishte oferta të aderonte, raporton KTV.

Përfaqësues të shoqërisë civile kërkojnë shkarkimin e Kryeprokurorit Lumezi nga KPK-ja dhe hetimin e afërsisë me PDK-në nga Prokuroria Speciale. Ndryshe nëse KPK-ja nuk e kryen punën e vet, ata kërkojnë që vetë Lumezi të dorëhiqet, si akt moral pas këtij skandali. Madje, sipas tyre, në këtë fazë është i domosdoshëm vetingu i sistemit prokurorial dhe gjyqësor.

Për OJQ-të është e papranueshme gjuha dhe linçimi i mediave të grupit KOHA nga Kryeprokurori i Shtetit, i cili këtë medium e kategorizon si bashkëpunëtor të grupeve kriminale.

Sipas tyre, publikimi i informatave për krerët e institucioneve të larta të shtetit është në interesin e publikut dhe mediat e kryen punën e tyre.

Prokuroria e Shtetit akuzoi të martën mediat e Grupit Koha se kanë bërë koalicione joparimore dhe të interesit me grupet kriminale, pas publikimit të përgjimeve “Pronto 3”, ku shpërfaqeshin pazaret që bëheshin për aderimin e mundshëm të Aleksandër Lumezit në PDK.

Kryeprokurori thotë se nuk ka qenë pjesë e këtyre diskutimeve, ani pse në përgjime Adem Grabovci ia konfirmon Kadri Veselit që është takuar dhe ka biseduar me Lumezin.

Komentoni