Ekonomi

OEAK: Kompletimi i kornizës ligjore për investimet strategjike i domosdoshëm

Kompletimi i akteve nënligjore për Ligjin e Investimeve Strategjike duhet të shihet me prioritet nga ana e Qeverisë ashtu që ligji i cili ka krijuar shumë pritje nga ana e investitorëve strategjikë të mund t’i shërbejë qëllimit për çka është aprovuar. Ky konkluzion doli nga tryeza e organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë me Ministrin e Diasporës dhe Investimeve Strategjike Dardan Gashi.

Ministri Dardan Gashi tha se Ministria që ai drejton do të vazhdojë të ketë bashkëpunim të ngushtë me rrjetet e bizneseve të diasporës anembanë botës me qëllim të inkurajimit dhe lehtësimit të investimeve të tyre në Kosovë. Ai po ashtu tha se duhet të punohet me ritëm të shtuar në kompletimin e infrastrukturës ligjore për investimet strategjike, duke shtuar se kjo bëhet më e nevojshme për shkak të interesimit të madh që kanë shfaqur investitorët potencialë seriozë të huaj për investime në fusha të ndryshme. Ai po ashtu sqaroi objektivat e ligjit dhe kriteret në bazë të të cilave një investitorë, i huaj apo vendor, mund të fitojë statusin e investitorit strategjikë, si dhe përfitimet të cilat dalin nga një status i tillë.

Drejtori Ekzekutiv i Odës Amerikane Arian Zeka shprehu gatishmërinë e komiteteve përkatëse brenda kësaj organizate për ofrimin e kontributit konkret në draftimin e udhëzimeve administrative që duhet të rregullojnë funksionalizimin e Ligjit mbi Investimet Strategjike. Ai shprehu mendimin e tij se duhet bërë një ndarje e qartë e autoritetit ndërmjet Ministrisë së Diasporës dhe Investimeve Strategjike dhe Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, e cila ka qenë sponsorizuese e ligjit në fjalë.

Bizneset e pranishme në tryezë shprehen komentet dhe rekomandimet e tyre përkitazi me implementimin më të efektshëm të ligjit por edhe tërheqjes së investimeve nga diaspora. /KI/

Komentoni