Lajme

Oda Amerikane dëgjon shqetësimet e sektorit privat në Suharekë

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë organizoi një tryezë në nivel lokal me Kryetarin e Komunës së Suharekës Sali Asllanaj, në të cilën bizneset që operojnë në Suharekë patën mundësi të diskutojnë për problemet me të cilat përballet sektori privat. 

Drejtori Ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka theksoi zgjerimin e listës së lëndëve të para të liruara nga detyrimet doganore, çështje kjo e ngritur edhe në Komisionin Kombëtar për Zhvillim Ekonomik, si një ndër problemet kryesore me të cilat përballet sektori privat. Ai shtoi se zgjerimi i listës së produkteve të liruara nga dogana do të barazonte pozitën konkurruese të prodhuesve vendor në raport me vendet e rajonit, duke argumentuar se aplikimi i TVSh-së në lëndët e para ndikon, mes të tjerash, në çmimet e larta të produkteve të gatshme për shitje apo eksport jashtë vendit. Pushimet tatimore, sipas Zekës, pavarësisht se zvogëlojnë të ardhurat doganore në aspekt afatshkurtër, gjenerojnë përfitime shumë më të mëdha në aspekt afatmesëm dhe afatgjatë. Po ashtu, ai theksoi se Ligji për Investime Strategjike nuk ofron stimuj fiskal për investitorët e huaj, por që do të mund të zëvendësohej me dhënien në shfrytëzim të pronave publike.  

Kryetari i komunës së Suharekës, Sali Asllanaj shprehi mirënjohje ndaj Odës Amerikane, që sipas tij, vazhdon të jetë mbështetëse e madhe e sektorit privat, duke vlerësuar iniciativat e saj, të cilat jo vetëm që u mundësojnë kompanive vendore të shprehin shqetësimet e tyre, por vazhdimisht nxisin vendimet e institucioneve shtetërore prej të cilave përfiton sektori privat. Po ashtu, Asllanaj theksoi se sektori privat ka nevojë për mbështetje më të madhe, në kuptim të ofrimit të politikave më të favorshme për kompanitë serioze dhe të ligjshme, duke shprehur gatishmërinë e tij për të vazhduar t’i mbështesë kompanitë drejt zhvillimit të tyre.  

Bizneset lokale të Suharekës patën mundësi të diskutojnë mbi shqetësimet dhe sfidat me të cilat përballen, sidomos në sektorin e bujqësisë dhe infrastrukturën në zonën industriale të Suharekës, duke vlerësuar iniciativat e Odës Amerikane për mbështetje të vazhdueshme. /KI/

Leave a comment

Your email address will not be published.


*