Ekonomi

Nuk ka më dy pensione, pësojnë familjet e dëshmorëve

Ligji për skemat pensionale nuk lejon që një person të marrë dy pensione. Ky vendim i prek edhe familjet e dëshmorëve

Nuk do të ketë dy pensione që do t`i marrë një person. Ky rregull vlen edhe për ata prindër që kanë humbur ndonjërin prej fëmijëve në luftën e UÇK-së. Ata do mund ta marrin vetëm pensionin si familje e dëshmorit, por jo edhe pensionin tjetër të pleqërisë. Ky vendim që është bazuar në ligjin e miratuar para dy vjetësh ka irrituar edhe ata që mbrojnë të drejtat e veteranëve të luftës. Për këtë arsye është thirrur nesër një protestë. 

Qamil Hajrizi prind i dëshmorit Hamdi Hajrizi nga Komuna e Vushtrrisë deri para një muaji ka marrë pensionin kontributdhënës si dhe pensionin si familjar i dëshmorit.

Por nga shtatori ai ka marrë vetëm pensionin e dëshmorit duke ia humbur të drejtën që të paguhet për 44 vite përvojë të punës.

Këtë vendim Hajrizi e quan ofendues.

“Kjo çka ka bërë Qeveria shumë keq. Me të thanë a pe merr pensionin që ke punu 44 vjet a pe merr pensionin e dëshmorit shumë ranë është tum ardh. Ju kisha lutë qeverisë mos luni me familje të dëshmorëve, mos prekni aty, mos prekni te invalidët e luftës. Mos të presin me u qu në kamë se nuk humb gjaku i dëshmorit”, i ka thënë RTK-së, Qamil Hajrizi, prind i dëshmorit Hamdi Hajrizi.

Ligji për skemat pensionale nuk lejon që një person të marrë dy pensione.

Drejtori i Departamentit të pensioneve në kuadër të Ministrisë së Punës, Bahri Xhaferi thotë se ky ligj që ka nisë të zbatohet tash, ka ekzistuar që nga viti 2014.

Deri në fund të vitit, sipas tij, do të bëhen ndryshime në ligj i cili do të jetë në të mirë të të gjitha kategorive të luftës.

“Është obligim zyrtar i Ministrisë që të gjendet një formulë e bashkëveprimit dhe bashkërendimit që të gjitha ato veprime, të gjitha ato kritere të gjitha ato pensione që i kanë marrë deri tash nëpër skema pensionale që të bëhet infuzioni i të gjithave dhe të jepet një pension i arsyeshëm, i dinjitetshëm i cili në kuadër të mundësive buxhetore duhet të jetë shumë stabil”, ka theksuar Bahri Xhaferi, drejtor i departamentit të pensioneve në MPMS-së.

I befasuar nga ky vendim për ndërprerje të pensioneve është shprehur edhe kryetari i Këshillit për Mbrojtjen e Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-së, Xhevdet Qeriqi, i cili ka thirrur të premten protestë kundër këtij vendimi. Ai këmbëngul se ligji thotë ndryshe.

“Ne e shohim si një vendim të padrejtë sepse ligji për kategoritë e luftës së UÇK-së u garanton këtë lloj page për kontributin dhe flijimin e ndonjë anëtari të familjes në luftë, do të thotë nuk ka lidhje mes pensionit të pleqërisë me pensionin e kësaj kategorie”, ka theksuar Xhevdet Qeriqi.

Në anën tjetër, Xhaferi thotë se ndërprerja e pensioneve kontributdhënëse për personat e njëjtë që gëzojnë edhe një pension si familjar i dëshmorit, i civilëve të luftës, të invalidëve të luftës, të verbërve, nuk ka fare të bëjë me mungesë të buxhetit por vetëm me zbatim të ligjit.

E për të gjithë këtë baba i dëshmorit Qamil Hajrizi ka një mesazh për qeverinë e Kosovës: “Ma kështu se familja e dëshmorit bajram nuk ka ma. Baba i dëshmorit nuk del me bërtit se në familje të dëshmorit festë nuk ka, se e sheh sofrën thatë”.

Komentoni