Kosova

Një shqiptare nga Kosova vritet në Gjermani

Një grua 34 vjeçare nga Kosova, është gjetur e vrarë në një banesë, në Bad Langensalza të Gjermanisë.

Sipas informacioneve të policisë, gruaja në fjalë ka vdekur natën e mbrëmshme nga plagët e revoles policore, shkruajnë mediet gjermane.

Besohet se vdekja ka ardhur nga plumbat e një arme zyrtare të policisë federale, ndërsa lidhur me rastin është arrestuar një polic federal, shkruan thüringen24.de, transmeton Telegrafi.

Sipas policisë vendase, polici nga Bavaria dhe një person tjetër që janë gjendur në vendin e krimit, janë arrestuar dhe sërish janë lënë të lirë.

Në banesë kishin qenë të pranishëm dy meshkuj të moshës 22 vjeçare, njëri nga të cilët pronari i banesës dhe partneri i gruas së vrarë, i cili është i njohur për policinë, ndërsa tjetri, zyrtari i përmendur policor.

Mësohet se në banesë, janë konfiskuar një armë shërbimi dhe një letërnjoftim i një zyrtari policor, ndërsa  dy të arrestuarit kishin qenë në gjendje të dehur.

Sipas gjendjes aktuale të hetimeve, përjashtohet vrasja e qëllimshme nga ana e policit. Kështu, hetimet mbi dyshimin se vrasja është bërë nga pakujdesia janë në vazhdim e sipër.

Komentoni