Lajme

Një luftë pa ushtarë e me shumë gjeneralë

Ekspertët e futbollit vlerësojnë se në lojën e Kosovës kundër Kroacisë gjithçka shkoi keq, shkruan sot Koha Ditore.

“Kosova ka potencial, por që nuk e shfrytëzoi ndaj Kroacisë. U poshtëruam, ishte rezultat poshtërues. Kishte shumë gabime që nga fillimi, nga struktura e lojtarëve, vendosja në fushë. Janë bërë shumë gabime dhe për këtë duhet të marrë përgjegjësinë dikush në mënyrë që të ecet para. Thënia se në Kosovë nuk ka ushtarë por vetëm gjeneralë, ishte tipike për ndeshjen e mbrëmshme”, ka vlerësuar ish-seleksionuesi i Kosovës, Bylbyl Sokoli.

Ndërkohë trajneri i Gjilanit, Arbnor Morina, ka thënë se kundër një ekipi si Kroacia nuk është turp të luhet me mbrojtje të ngjeshur.

Humbje poshtëruese është vlerësuar disfata 6:0 e Kosovës nga Kroacia, të enjten mbrëma në “Loro Boriçi” të Shkodrës, në ndeshjen e vlefshme për eliminatoret për botërorin e futbollit “Rusia 2016”. Një vlerësim të tillë e ka dhënë Bylbyl Sokoli, ish-përzgjedhës i Kosovës dhe njëri prej trajnerëve më të mirë në vend. Sokoli ka përcjellë nga afër paraqitjen e Kosovës në ndeshjen e saj të parë zyrtare si vendase. Takimi është luajtur në Shkodër, pasi Kosova nuk ka stadium të gatshëm për ndeshje ndërkombëtare.

Sipas Sokolit, e rëndësishme është që të merret përgjegjësia për këtë debakël. Ai thotë se shumë gjëra kanë shkuar keq dhe për këtë erdhi disfata e thellë.

Humbja 6:0 është më e thella që e ka pësuar Kosova ndonjëherë. Gjashtë gola kishte pranuar edhe nga Turqia më 21 maj të vitit 2014, në miqësore, por e kishte shënuar një. Kosova po e luan ciklin e parë eliminator, të cilin e hapi me barazim 1:1 me Finlandën në udhëtim, më 5 shtator. Ndeshjen e radhës e luan menjëherë të dielën ndaj Ukrainës vendase, në Krakow të Polonisë, nga ora 18:00.

Leni koment

Email-i juaj nuk do te publikohet.


*