Kulturë

Nisin Takimet e Gjeçovit-2017 “Dita e Bukës Zymjane” (Foto)

Në Zym të Hasit për herë të 46 nisi manifestimi Takimet e Gjeçovit- 2017, me moton “Dita e Bukës Zymjane”.

Ky takim u hap me ekspozitën e Barbara piktore e Destan Gashi skulptor nga Vjena,- “Gratë e Hasit” të shkrira në pikturë dhe të gdhendura në gur, Llesh Biba piktor nga Tirana-“Latimi i gjakut”, dhe Limon Cakaj nga Berlini-“Malli për vendlindjen” me një cikël te portreteve.

Organizatorët e shtjelluan moton e këtij takimi “Dita e Bukës Zymjane”, për arsye se sipas tyre, buka është fjalë që më së pari mësohet përpos asaj nënë dhe baba.

Sipas tyre, buka është e mirë dhe të jep jetë, dhe kot, siç thanë ata, “sofra e bukës është traditë, kulturë dhe trashëgimi e shqiptarëve në përgjithësi”.

I pranishëm në këtë manifestim ishte edhe i pari i komunës së Prizrenit, Ramadan Muja, i cili njëherësh edhe mundësoj organizimin e këtij manifestimi në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës. Rinisë dhe Sportit.

Kryetari Muja, me këtë rast tha se Zymi i Hasit me shekuj ka ruajtur traditën kulturore.

“Ky manifestim, po i edukon fëmijët tanë brez pas brezi dhe kjo tokë e ky vend, jo vetëm që është i lashtë, por edhe i shenjtë”, tha kryetari Muja, duke shtuar se kjo pasqyron se shqiptarët gjithmonë kanë qenë dhe do të jenë trashëgimtarë të kësaj toke.

Duke folur për të madhin At Shtjefan Gjeçovin, kryetari Muja tha se fjalët për të janë pak të thuhen.

“At Shtjefan Gjeçovi rrjedhë nga një familje patriarkale e cila në thelb ka patur arsimimin dhe edukimin e shqiptarëve”, ka thënë kryetari Muja.

Kurse organizatori i këtij manifestimi, Frrok Kristaj, e shpalli te hapur këtë manifestim me tre njerëz të artit, që vijnë nga tri qendra të Evropës, Vjena, Berlini e Tirana.

“Është privilegj që ky manifestim të hapet me piktoren Barbara, me skulptorin Destan, dhe po ashtu me skulptorin tjetër, Llesh Biba, dhe Liman Cakaj”, tha me këtë rast Kristaj.

Përndryshe, në këtë manifestim, kanë marr pjesë veprimtare te njohur dhe kontribuues të çështjes kombëtare, nga mbarë Evropa.

Lumturije BEKAJ

Komentoni