Bota

Nga tërmeti afër kufirit Iran-Irak, më se 340 vetë të vdekur

Ekipet e shpëtimit dhe të afërmit e shqetësuar po i vazhdojnë kërkimet nëpër gërmadhat e shkaktuara nga tërmeti i fuqishëm, i cili mbrëmë e ka goditur këtë rajon duke i vrarë më se 340 vetë në të dy shtetet.

Ministria e brendshme e Iranit ka njoftuar se në provincën iraniane, Kermanshah, është raportuar për 336 të vrarë dhe afro 4 mijë të plagosur.

Në pjesën e goditur nga tërmeti në Irak, kanë humbur jetën së paku shtatë vetë, ndërsa janë plagosur më se 530 të tjerë.

Vëzhgimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara tha se tërmeti ishte me intensitet 7.3 shkallë dhe e kishte epiqendrën 32 kilometra në jugperëndim të qytetit Halabxha, në pjesën verilindore të Irakut, në thellësi prej 33.9 kilometrash.

Qendra sizmologjike në Universitetin e Teheranit tha se tërmeti kishte ndodhur mbrëmë në orën 21:48 minuta, ndërsa ai ishte ndie nga Turqia e deri në Kuvajt.

Komentoni