Kosova

Nga dy prokurorë në çdo komunë për ditën e zgjedhjeve

Zyrtarët e Prokurorisë së Kosovës bëjnë të ditur se për ta ruajtur votën e qytetarëve më 22 tetor janë caktuar nga 2 prokurorë kujdestarë në 38 komunat e vendit gjersa prokurorët tjerë do të jenë në Dhomën Operative, shkruan sot, gazeta Zeri.
Kanë mbetur vetëm edhe 9 ditë deri në ditën e zgjedhjeve lokale, përderisa institucionet kompetente po i bëjnë përgatitjet e fundit që procesi të shkojë sipas planit.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka akredituar 32 mijë vëzhgues për zgjedhjet e 22 tetorit, përderisa janë caktuar edhe 100 prokurorë kujdestarë për këtë ditë.
Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (OSBE) me vëzhguesit e saj do të jetë e pranishme në komunat veriore të vendit, ku do të ofrojë ndihmë teknike, gjersa zyrtarët policorë thonë që i kanë marrë të gjitha masat për të ofruar siguri maksimale jo vetëm në komunat veriore, por në gjithë vendin.
Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka, ka njoftuar se KQZ-ja ka akredituar 32 mijë e 500 vëzhgues, një pjesë e të cilëve do të angazhohen edhe në komunat veriore të Kosovës. Përveç tyre në veri njofton Daka se do të angazhohet edhe OSBE-ja.
Daka tha se roli i OSBE-së në zgjedhjet lokale të 22 tetorit do të jetë i kufizuar vetëm në komunat veriore dhe atë vetëm për ndihmë teknike.

Komentoni