Lajme

Nënshkruhen marrëdhëniet diplomatike me Gambinë, Hoxhaj pret dinamikë më të shtuar

Ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj ka vazhduar agjendën intensive në ditën e pesë të takimeve që po zhvillohen në New York në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.

Krahas takimeve bilaterale me shtetet njohëse dhe mos-njohëse, si dhe pjesëmarrjes në forumet multilaterale si SEECP, RCC, A5, agjenda e delegacionit shtetëror të Kosovës dhe e ministrit Hoxhaj është fokusuar edhe në rritjen e numrit të shteteve me të cilët Kosova ka marrëdhënie diplomatike.

Në ambientet e Konsullatës së Përgjithshme të Kosovës në New York, në prani edhe të Kryeministrit Mustafa, Hoxhaj ka nënshkruar në emër të Kosovës marrëdhëniet diplomatike me Republikën e Gambisë.

Hoxhaj ka thënë se Kosova çdo ditë po forcohet dhe po e zgjeron sovranitetin e saj duke formalizuar edhe zyrtarisht marrëdhëniet diplomatike me shtetet që e kanë njohur më herët.

“Krahas agjendës sonë të lobimit për njohje, takimeve të shumta në formate të ndryshme, një prioritet tjetër në politikën e jashtme të Kosovës është rritja e numrit të shteteve me të cilat kemi marrëdhënie diplomatike si akti i parë i domosdoshëm pas njohjes. Me këtë ne zgjerojmë dhe forcojmë sovranitetin e shtetit tonë dhe hyjmë në marrëdhënie kontraktuale të pakthyeshme. Pres një dinamikë edhe më të shtuar dhe për këtë po punojmë intensivisht” ka thënë Hoxhaj.

Ministri Hoxhaj ka vazhduar edhe me takime të tjera në New York, ku ka takuar edhe ministrin e Jashtëm të Andorrës, Gilbert Saboya Sunyé, të cilin e ka falendëruar për mbështetjen që ka dhënë shteti i tij për Kosovën.

“Diskutuam për nevojën e bashkëpunimit më të thellë veçmas në shkëmbimin e përvojave në fushën e turizmit” ka thënë Hoxhaj. /KI/

Leni koment

Email-i juaj nuk do te publikohet.


*