Kosova

Nënkryetari i AKR-së nuk ia jep votën PAN-it edhe nëse këtë e bën Pacolli

Behgjet Pacolli mund të ndërrojë kamp politik, por jo me të gjithë deputetët e AKR-së, të cilën ai e drejton. Së paku, Korab Sejdiu nuk do t’i shkojë pas.

Sejdiu është kundër vlerësimeve publike që e prezantojnë AKR-në si partner të ardhshëm të koalicionit PAN, edhe pse kjo parti është pjesë e koalicionit LAA.

Ai thotë të mos ketë indikacione se AKR-ja do t’i bashkohet subjektit që ka shënuar fitore relative në zgjedhjet e parakohshme, pavarësisht paralajmërimeve të fundit të Pacollit.

Këmbëngulja e këtij deputeti është se do të votonte kundër një Qeverie ku është PAN-i, edhe sikur të gjithë ligjvënësit e tjerë të Kuvendit të ishin pro saj.

“Unë kam folur një herë dhe po e përsëris: pavarësisht kush është në anën tjetër, edhe nëse 119 deputetët votojnë për, vota ime do të jetë sikur ka qenë. Pra, kundër PAN-it. Pavarësisht kush i bashkohet në formatin aktual, PAN-i nuk e ka votën time”, i ka thënë Kohës Ditore deputeti Sejdiu, i cili është nënkryetar në AKR.

“Unë jam konsistent në qëndrimin tim fillestar dhe nuk e ndërroj”.

Komentoni